
EMRI/ I dehur në timon! 34-vjeçari përplasi disa mjete dhe tentoi t’i largohej Policisë, arrestohet shoferi i “Benz-it”
Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi në gjendje të dehur ka përplasur disa makina dhe më pas ka tentuar t’i largohet policisë.
Sakaq pas një ndjekjeje policia ka arritur të arrestojë shoferin 34-vjeçar, Kelian Llakajn.
Burime bëjnë me dije se automjeti “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin Kelian Llakaj ka përplasur automjetin e markës Toyota, me drejtues shtetasin Redjon Skenda.
Më pas drejtuesi i automjetit Mercedes-Benz është larguar nga vendngjarja dhe ka goditur në rrugën Gjergj Kastrioti automjetin e markës “Ford” me drejtuese shtetasen Adelina Hysni Kasaj (Kosta).
Pas 30 minutash ndjekje, drejtuesi ka aksidentuar gjithashtu motomjetin e ‘Shigjetave’ si dhe automjetin e ‘Shqiponjave’ duke vënë ne rrezik serioz jetën e tyre.
Nga kryerja e testit të alkoolit rezulton në gjendje të dehur në masën 1.25 mg/l dhe testi i dytë 1.29 mg/l.
Njoftimi i policisë
Vlorë/Në gjendje të dehur në drejtim të automjetit, përplas disa mjete dhe tenton t’i largohet Policisë, kapet dhe ndalohet pas ndjekjes 34-vjeçari.
Sot, rreth orës 19:50, në rrethrrotullimin e Çoles, në lagjen “1 Maji”, shtetasi K. Ll., 34 vjeç, banues në Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, ka përplasur fillimisht tre mjete dhe, gjatë lëvizjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ka goditur edhe një tjetër mjet me drejtuese shtetasen A. K., rreth 50 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje për ndalimin dhe kapjen e tij. Pas lokalizimit të 34-vjeçarit, ky i fundit ka tentuar t’i largohet shërbimeve të Policisë duke manovruar me shpejtësi dhe goditur dy mjete të Policisë, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.
Pas ndjekjes së vazhdueshme nga Policia, në një zonë jashtë qendrave të banuara, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e tjerë të mjeteve apo kalimtarët e rastit, u bë e mundur ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit K. Ll., i cili u shoqërua menjëherë në komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi