
Edhe dy javë afat, kush duhet të plotësojë DIVA-n! Për herë të parë deklarohen edhe të ardhurat nga qiratë
Qytetarët kanë afat deri më 31 mars për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave personale, ndërsa këtë vit pragu i deklarimit është ulur nga 2 milionë në 1,2 milionë lekë në vit.
Për herë të parë, duhet të deklarohen edhe të ardhurat nga qiratë përmes platformave si “Airbnb” dhe “Booking”, çka pritet të rrisë numrin e individëve që do të raportojnë. Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore për vitin 2023, DIVA është plotësuar nga 73.790 individë, nga të cilët 24.224 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë, prag i cili ishte në fuqi deri në 2023-shin dhe 49,566 individë të dypunësuar. Me pragun e ri prej 1.2 milionë lekë, numri i individëve që kanë detyrim deklarimi arrin në rreth 140 mijë të punësuar. Në rastet kur individët për një arsye apo tjetër nuk bëjnë deklarimin në afat, penalizohen me gjobë në vlerën 3 mijë-10 mijë lekë.
PRAGU I DEKLARIMIT
Rozana Çelmeta thotë se deklaratat vijojnë të dorëzohen. “Tashmë jemi në periudhën e dorëzimit të deklaratave individuale vjetore të të ardhurave për individët. Afati i ri i ndryshuar sipas ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat”.
Çelmeta theksoi se një ndryshim në deklarim është ulja e pragut të deklarimit nga 2 milionë në 1,2 milionë lekë të ardhura në vit.
“Pragu i totalit të të ardhurave që një individ përcakton si deklarues i DIVA-s, nga 2 milionë lekë të reja të ardhura që kanë burimet, tashmë ky prag është 1.2 milionë lekë të reja në të gjitha burimet”. Për herë të parë duhet të deklarohen edhe të ardhurat nga qiratë përfshirë platforma “Airbnb” dhe “Booking”. Në përfundim Çelmeta shton se pritet të shtohet edhe numri i individëve që do të raportojnë të ardhurat personale.
VERIFIKIMI
Administrata tatimore vjen me shërbimin më të ri elektronik “Tax Test”, i cili ka për qëllim të informojë të gjithë individët për të kuptuar nëse e kanë apo jo detyrim deklarimin e DIVA 2024. I thjeshtë në përdorim, ky shërbim është i organizuar sipas një pyetësori që i përgjigjet në kohë reale çdo individi (rezidentë apo jorezidentë), në përputhje me të ardhurat e tij. Individët sqarohen se nuk është e nevojshme të vendoset emri i përdoruesit apo fjalëkalimi dhe se informacioni nuk përmban të dhëna konfidenciale, por është i ndërtuar në bazë të disa pyetjeve shumë të thjeshta, që japin informacionin e nevojshëm nëse individi plotëson ose jo kriteret për të qenë subjekt deklarimi për DIVA 2024.
Administrata Tatimore bën me dije se afati i deklarimit dhe pagesës së DIVA 2024, sipas ligjit të ri, është data 31.03.2025 dhe se subjekt deklarimi për vitin 2024 janë ata individë që: Kanë realizuar të ardhura bruto 1.200.000 lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, jo vetëm nga paga si dhe kanë qenë në më shumë se 1 marrëdhënie punësimi gjatë të paktën 1 muaji.
Gjatë vitit 2024 kanë realizuar të ardhura më shumë se 50.000 lekë, për të cilat nuk është mbajtur tatim (shembull: Qiradhënie për individë të paregjistruar, si: Qira ditore apo nga platformat Booking, Airbnb etj.). Parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milionë në 1.2 milionë, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
JANË SUBJEKT I DEKLARIMIT:
Individët që kanë realizuar të ardhura bruto 1.200.000 lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, jo vetëm nga paga.
Individët që kanë qenë në më shumë se 1 marrëdhënie punësimi gjatë të paktën 1 muaji.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi