Dosja 5D/ Apeli i Posaçëm lë në qeli ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, rëndon akuzat për të pandehurit që i dhanë tendera kompanisë së tyre
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në qeli ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, të cilët akuzohen “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi i kanë dhënë tendera kompanisë së tyre.
Në vendim, Apeli nuk pajtohet me kualifikimin e veprës penale dhe ka rënduar akuzët për të pandehurit.
“Lidhur me kualifikimin e veprës penale nga Prokuroria dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë, të bashkëpunimit të thjeshtë si formë e bashkëpunimit që ka ekzistuar ndërmjet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, gjykata ndan qëndrim krejt tjetër dhe nuk mund të pajtohet në këto pjesë të kërkesave dhe vendimeve.
Gjykata vlerëson se në rastin konkret ka dyshime të arsyeshme se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve të proceduar penalisht dhe atyre eventualisht të paproceduar penalisht deri më tani, nuk ka qenë i thjesht por, duke kaluar kufijtë e këtij organizimi sporadik dhe episodik, ka qenë i mirëmenduar, i planifikuar, me një kohëzgjatje të qëndrueshme dhe i vijueshëm ndër vite, nën një mekanizëm pothuajse identik në çdo episode të kryerjes së veprave penale materiale të dyshuara dhe me një pluralitet subjektesh si bashkëpunëtorë, karakteristika këto të cilat të marra parasysh dhe të vlerësuara të gjitha së bashku, plotësojnë parashikimin/ përkufizimin e pikës 4 të nenit 28 të kodit penal””, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së.
Në vendimin e Apelit, arsyetohet se Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.
“Në këtë kuptim, gjykata ndan pikëpamje të ndryshme nga SPAK dhe Shkalla e Parë lidhur me kualifikimin juridik të faktit penal të bashkëpunimit i cili i kundrejtohet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, duke e kualifikuar sakaq bashkëpunimin e tyre, me personat e tjerë të proceduar apo jo eventualisht përgjegjës, persona fizikë apo persona juridikë, si bashkëpunim penal i posaçëm, dhe i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nën këtë logjikë, Gjykata vlerëson se edhe kualifikimi juridik i dyshimeve të arsyeshme të kundrejtuara ndaj Nestor Muhametllari, sipas nenit 244 të Kodit Penal, është i gabuar, pasi ai dyshohet arsyeshëm se është bashkëpunëtori-mëkëmbës dhe ndërmjetës i Redi Mollës dhe Mariglen Qatos në veprimtarinë e shoqërisë 5D konstruksion shpk”
Apeli i Posaçëm gjithashtu urdhëron SPAK të hetojë edhe për ndërtimin e një hoteli në Durrës, duke kërkuar nga SPAK duhet të marrë në pyetje shtetasen Jona Bejko, për të mësuar dijeninë që ka, të dhënat apo informacionet që di rreth këtij hoteli.
Gjyqtari Florian Kalaja, vlerëson se duhet bërë një hetim i plotë për të verifikuar këdo person fizikë apo zyrtarë në qoftë dhe zbulimin e lidhjeve që kanë patur interesa financiare.
“Gjykata vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme për ecurinë e mbarëvajtjen e hetimit që Jona Bejko të pyetet dhe të hetohet lidhur me të dhënat e përmbajtjes së këtij komunikimi apo të kësaj dijenie të saj, duke e verifikuar gjithashtu edhe ekzistencën e këtij projekti në Durrës, natyrën e investimit të tij dhe kontributin apo përfshirjen e subjektit tregtar 5D KONSTRUKSION në këtë investim dhe gjithashtu edhe identifikimin e plotë të subjekteve që hasen apo që kanë interesa nga kjo shoqëri tregtare, qofshin ato persona fizikë, zyrtarë apo jo dhe qoftë edhe persona juridikë të tjerë të lidhur me të”.
Ndaj ish-drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, Mariglen Qato dhe për ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla, si edhe për Taulant Tushën, i cili ndodhet tashmë në burg për aferën me inceneratorët, Apeli i GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
SHKELJET SIPAS SPAK
SPAK bën me dije se nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.
Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar funksionin e drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a.
Në këto procedura prokurimi, Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni Mariglen Qato që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.
Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që Qato ka ushtruar funksionin e drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.
Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.
Janë krijuar dyshime të arsyeshme se Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshime të bazuara se Taulant Tusha. ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qenë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë.
Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja E.Z. ka pasur komunikime direkte me Nestor Muhamellarin administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Deborah Keçi ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor Muhamellarit, user-at e anëtarëve të KVO-së.
AKUZAT PËR SECILIN TË ARRESTUAR:
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr.28, datë 28.03.2024, ka vendosur:
-Caktimin ndaj personit nën hetim Redi Molla të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Mariglen Qato, të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 (katër) raste, të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/ 2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Taulant Tusha të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personave nën hetim Enton Punavija të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Julian Zanaj të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Albano Janku të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Nestor Muhamellari, të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Eglantina Zere të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga nenet 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
-Caktimin ndaj personit nën hetim Deborah Keçi të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021. Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal-tha SPAK!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi