Dhoma Amerikane: Gjetja e punonjësve të kualifikuar mbetet problem serioz për kompanitë shqiptare
Në Shqipëri, ndërsa klima e biznesit rezulton të jetë përmirësuar, sipas indeksit të biznesit të Dhomës amerikane (AmCham) për vitin 2023 të publikuar të hënën, gjetja e punonjësve të kualifikuar vijon të mbetet një problem serioz.
Perceptimi i anëtarëve të Dhomës për klimën e biznesit është përmirësuar me +5,02 pikë krahasuar me vitin 2022.
Gjetja e stafit të kualifikuar vendas është raportuar ende të jetë e vështirë ose shumë e vështirë nga 74.1% e kompanive që morën pjesë në anketimin e përvitshëm. Ajo është ndër 5 shqetësimet kryesore të ngritura nga kompanitë, së bashku me çështjet e “Monopolit dhe konkurrencës së pandershme”, “Nivelin e ekonomisë informale”, “Burokracisë së qeverisë” dhe “Nivelit të përgjithshëm të taksave”, pavarësisht një përmirësimi të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Indeksi për vitin 2023 arriti në 47.57 nga 100, duke u rritur me +4.16 pikë nga 43.42 në 2022, po duke mbetur nën 50, nga 100 pikë që shënojnë kufirin maksimal pozitiv.
Perceptimi i të anketuarve për “Ecurinë e ekonomisë shqiptare” në vitin 2023 është përmirësuar ndjeshëm (+13,99 pikë). Edhe për vitin 2024, anëtarët e Dhomës amerikane parashikojnë një tendencë pozitive për ecurinë e saj si dhe të investimeve apo klimës së biznesit.
“Furnizimi me energji” dhe “Rendi dhe siguria në vend” rezultuan të jenë fushat me perceptimin më të mirë për kompanitë e anketuara gjatë vitit 2023. “Furnizimi me energji” arriti pikën më të lartë prej 72.05, ndërsa treguesi “Rendi dhe Siguria” arriti pikën 64,44, duke u përmirësuar dukshëm me +7,85 pikë.
Një perceptim i ngjashëm pozitiv është raportuar edhe në vitin 2023 për marrëdhëniet me administratën publike, ku treguesi më pozitiv është ende raporti me Autoritetet Doganore, ndërsa ai me administratën tatimore, pati një rënie shumë të lehtë.
Sa i takon ekonomisë, është vërejtur një përmirësim për “Kërkesën për mallra dhe shërbime” (+3,90 pikë), “Punësimin” (+5,01 pikë) dhe “Investimet” (+5,15 pikë).
Ndërsa treguesi për “Kërkesa për mallra dhe shërbime në eksporte” shënoi rënie me -3.29 pikë për të njëjtën periudhë, duke reflektuar goditjen që eksportet morën për shkak të zhvlerësimit të monedhës europiane Euro, kundrejt monedhës vendase Lek./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi