Basketbolli hedh shortin e kampionateve, Ponari paralajmëron: Kujdes me bastet
Basketbolli shqiptar është gati të ndezë motorët për sezonin ri, teksa dje në ambientet e FSHB-së është hedhur shorti për kampionatet 2024-2025. Një edicion që vjen me disa risi dhe me mesazhe të rëndësishme nga federata për klubet.
Në zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Basketbollit, presidenti Avni Ponari mbajti fjalimin hapës të shortit, ndërsa krah tij ishin sekretari i përgjithshëm Franko Bushati dhe Klaudio Ndoja, trajneri i Kombëtares së femrave dhe njëkohësisht në rolin e skautit për talentet që luajnë jashtë vendit.
PRESIDENTI – Gjatë shortit për sezonin e ri, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, dha një mesazh të fortë për ata që kryejnë veprimtari të jashtëligjshme në basketbollin shqiptar, duke iu referuar kryesisht basteve. Madje kreu i federatës bëri të ditur se shumë shpejt do të ketë lajme jo të mira për ata që janë përfshirë në këto veprimtari, teksa ndër të tjera deklaroi: “Kam një porosi që është shumë e rëndësishme për të gjithë. Basketbolli shqiptar është nën vëzhgimin e FIBA-s në të gjithë veprimtarinë e tij në çdo lloj pjesëmarrje apo garë. Veprime të paligjshme, baste të paligjshme dhe veprime të kësaj natyre janë të vëzhguara në sisteme shumë të sofistikuara informatike. Pra ne jemi shumë të vëzhguar dhe se shpejti do të merrni vesh edhe lajme jo të këndshme për dikë. Bëni ndeshje të ndershme, sepse ky është misioni juaj dhe mos u përfshini me veprime të cilat janë të ndaluara. Ju uroj shumë suksese në zhvillimin e këtij sezoni dhe uroj të dilni me rezultate sa më të mira”, theksoi Ponari.
K1 FEMRA – Duke kaluar te shorti, goglat fillimisht u tundën për kampionatin e femrave, që këtë edicion do të përbehet me 7 ekipe dhe do të zhvillohet me 3 faza. Në fund të kampionatit do të kalohet në “play off”, sipas formatit: vendi u parë kundër vendit të katërt dhe vendi i dytë kundër të tretit në gjysmëfinale, ku në finale kualifikohen ekipet që arrijnë numrin e 3 fitoreve në 5 ndeshje të mundshme. Gjithashtu edhe në finale, kampion do të shpallet ekip që arrin numrin e 3 fitoreve në një seri me 5 takime. Ndërkohë java e parë e kampionatit dhuroi menjëherë finalen e edicionit të kaluar ndërmjet Flamurtarit dhe kampioneve të Tiranës. Më tej çiftet e tjera janë StudentiPartizani dhe Teuta-Vllaznia, ndërsa Elbasani do të qëndrojë pushim.
SUPERLIGA MESHKUJ – Më pas u vijua me shortin e Superligës së meshkujve, kampionat që këtë edicion rikthehet me 6 ekipe dhe me 4 faza. Katër vendet e para shkojnë në “play off”, me formatin e zakonshëm “1-4” dhe “2-3”, me gjysmëfinalet që do të jenë me 3 fitore në serinë prej 5 ndeshjesh. Vendi i pestë në përfundim të sezonit të rregullt do të përballet në “play out” me vendin e dytë të Kategorisë së Parë, ku në elitë që do të qëndrojë ekipi që arrin 2 fitore në një seri prej 3 përballjesh. Ndërkohë vendi i fundit i Superligës zbret në nivelin e dytë të sportit të koshit. Për sa i përket shortit, java e parë dhuroi këto takime: ApoloniaBesëlidhja, Vllaznia-Teuta dhe Tirana-Kamza.
K1 MESHKUJ – Në fund ishte radha për shortin e Kategorisë së Parë te meshkujt, një kampionat me 6 ekipe dhe me 4 faza, ku vendi i parë ngjitet në Superligë, ndërsa vendi i dytë luan në “play out”. Java e parë ofroi këto sfida: Pogradeci-Skënderbeu, Fieri-Elbasani dhe Flamurtari-Partizani. Të gjitha kampionatet pritet të nisin në javën e dytë të muajit tetor.
RISITË – Sezoni do të nisë zyrtarisht me Kupën e FSHB-së, siç është bërë traditë prej disa vitesh, aktivitet që do të mbahet në fundjavën e fundit të shtatorit. Por ndryshe nga zakonisht, pas Kupës së FSHB-së nuk do të jetë radha e kampionateve, pasi një javë më vonë do të zhvillohen finalet e Superkupave, ndërsa më tej do të startojnë kampionatet kombëtare. Ndryshim do të ketë edhe për periudhën e takimeve të Kupës së Shqipërisë, aktivitet që është spostuar në muajin shkurt.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi