BASKETBOLL U-20/ Shqipëria, KO në debutim kundër Gjeorgjisë
Postuar: Korrik 13, 2024 | 11:00
Shqipëria U-20 e djemve është përfaqësuesja e radhës që ka nisur konkurrimin në Kampionatet Europiane të basketbollit moshave, që po mbahen këtë verë.Të rinjtë e sportit të koshit nisën dje aventurën e tyre në Divizionin B që po zhvillohet në Pitesht të Rumanisë. Kombëtarja, e drejtuar nga trajneri Glen Prodani, nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë, teksa mbrëmjen e djeshme është mundur nga Gjeorgjia me rezultatin e thellë 97-71 (22-15, 20-19, 31- 9, 24-28) , takim i vlefshëm për Grupin D.
Një sfidë që i pa gjatë gjithë kohës gjeorgjianët në avantazh, ndërsa Shqipëria arriti të ishte rivalizuese disi vetëm në gjysmën e parë të ndeshjes. Gjeorgjia e bëri diferencën sidomos në periodën e tretë, duke e hipotekuar aty suksesin.
Për sa u përket paraqitjeve individuale, efikasitetin më të lartë nga kuqezinjtë e kishte Veton Gjeçaj me 13 pikë, 7 kërcime dhe 3 asistime. Arden Begaj realizoi 17 pikë dhe 5 kërcime, ndërsa në dopioshifër pikësh mbërriti edhe Genti Cokaj me 11, duke u shtuar edhe 4 kërcime. Më 14 korrik në orën 17:00 kuqezinjtë do të zhvillojë ndeshjen e dytë në grup përballë vendësve të Rumanisë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi