BASKETBOLL/ Tirana dhe Besëlidhja dominuan parketin, lezhjanët u futën në histori me titullin e parë
Basketbolli shqiptar mbylli një tjetër edicion, duke sfiduar vështirësitë problematikat e zakonshme, ndërsa nuk munguan as emocionet në parket nga protagonistët që po mbajnë gjallë këtë sport të bukur në vendin tonë.
Tirana te femrat dhe Besëlidhja te meshkujt ishin skuadrat që i dhanë tonin kampionateve, duke fituar edhe trofetë më të rëndësishëm në edicionin 2023-2024, një sezon i gjatë dhe i luftuar, që uli siparin të shtunën e kaluar me finalen e fundit “play off” te djemtë. Por të le të analizojmë shkurtimisht edicionin sportiv, duke parë ndarjen e trofeve.
FEMRAT – Në radhët e vajzave, Tirana u rikthye në majën e basketbollit shqiptar pas 25 vitesh, duke u shpallur kampione e Shqipërisë. Në fakt në kryeqytet titulli erdhi edhe në vitin 2019 nga SHKB Tirana, por asokohe ishte një lëmsh i vërtetë, një shpikje shqiptare me pjesëmarrjen e dy “Tiranave” në kampionat, teksa triumfi nuk shkoi për ekipin varej nga bashkia, por për vajzat bardheblu që drejtoheshin nga trajneri Erdal Borova. Gjithsesi, duke u kthyer te Tirana e këtij edicioni, kryeqytetaset e trajneres Mirza Alibegaj zhvilluan një kampionat të shkëlqyer, teksa u renditën të dytat në sezonin e rregull, për të shpërthyer më pas në “play off”.
Tirana kaloi fillimisht Partizanin në gjysmëfinale, për të shkurorëzuar më pas Flamurtarin në finale, duke e fituar serinë me rezultatin 3-1. Festë e merituar për vajzat e Tiranës, të udhëhequra nga një eksperte si Aida Palko, dhe me lojtare me kualitet si Morina Bojka apo Enisa Qosja. Ky ishte titulli i 41-të kampion në historinë e klubit bardheblu. Ndërkohë duke kaluar të kompeticionet e tjera të sezonit, ndonëse bëhet fjalë për trofe më pak të rëndësishëm, Flamurtari arriti që të ngrinte lart Kupën e Shqipërisë, si dhe Kupën e FSHB-së, aktivitet testues në prag të startit të kampionatit. Një trofe në muze e çoi edhe Partizani, teksa të kuqet e trajneres Eliverta Bujari fituan Superkupën e Shqipërisë, duke festuar edhe ato një sukses sezonal.
MESHKUJT – Për sa i përket i kampionatit të djemve, ky sezon ka qenë më pak i rivalizuari gjatë këtyre viteve. Një kampionat që nisi dhe përfundoi nën diktatin absolut të Besëlidhjes, ndërsa të gjithë rivalët dukej se ishin të dorëzuar që pa nisur gara. Lezhjanët u futën me ambicie të mëdha, me shumë investime dhe me një ekip kualitativ të organizuar më së miri nga trajneri Afrim Bilali, duke bërë që kundërshtarët të mendonin më tepër për vendin e dytë. Verdikti ishte i qartë, 27 ndeshje dhe 27 fitore për Besëlidhjen, mes sezonit të rregullt dhe “play off”-it.
Pasi e mbyllën kampionatin me pikë të plota, lezhjanët likuiduan me ndeshje fillimisht 3-0 Tiranën në gjysmëfinale dhe më pas Teutën 4-0 në finale, për të ngritur lart trofeun e shumëdëshiruar. Besëlidhja fitoi gjithashtu për të dytin sezon radhazi edhe Kupën e FSHB-së, një kompeticion minor, testues para nisjes së sezonit. Ndërkohë, për sa i përket trofeve të tjerë, ndonëse nuk arriti të mbronte titullin, Tirana festoi dy herë gjatë këtij edicioni. Bardheblutë fituan Superkupën e Shqipërisë duke mundur Teutën në finale, ndërsa triumfuan edhe në Kupë, teksa mposhtën Besëlidhjen. Kështu basketbolli shqiptar uli siparin e një tjetër sezoni intensiv, mes luftës për ekzistencë dhe dëshirës së madhe të aktorëve që po mbajnë gjallë këtë sport të traditës.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi