BASKETBOLL/ Besëlidhja likuidon edhe Kamzën, Tirana mposht Vllazninë
Superliga e basketbollit për meshkuj ka kompletuar dje javën e dytë me ndeshjen ndërmjet Kamzës dhe Besëlidhjes në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.
Moment nga takimi Tirana-Vllaznia
Lezhjanët siguruan fitoren e dytë në kampionat, duke triumfuar me rezultatin e thellë 70-97 në një përballje të dominuar. Skuadra e Afrim Bilalit ishte superiore në të katërta periodat, duke e thelluar në mënyrë konstante avantazhin, për ta mbyllur me +27 pikë. Kështu sfida nisi menjëherë nën diktatin e kampionëve, me periodën e parë që u mbyll 21-27. Çereku i dytë ishte disi më i ekuilibruar, i mbyllur 17-19, me ekipet që shkuan në pushimin e madh me rezultatin 38-46 për Besëlidhjen. Skuadra veriore fitoi edhe periodën e tretë 22-28, për të shpërthyer në të katërtën në shifrat 10-23. Njeriu i ndeshjes ishte Julian Hamati, protagonist me 26 pikë dhe 7 kërcime për Besëlidhjen, mbështetur nga Philbert Weekes, me 14 pikë dhe 10 kërcime. Për Kamzën më i miri ishte Jalen Vaughns, autor i 24 pikëve dhe 7 kërcimeve. Me këtë sukses Besëlidhja vijon ta përmirësojë serinë e rezultateve pozitive, duke e çuar në 29 numrin e fitoreve radhazi në kampionat që prej edicionit të kaluar.
Të shtunën në sallën “Farie Hoti” u zhvillua klasikja ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë. Bardheblutë, të cilët janë i vetmi ekip 100% shqiptar i kampionatit, morën një fitore mjaft të bukur, duke i mundur shkodranët me rezultatin 89- 80 (21-21, 29-15, 19-25, 20-19). Skuadra e Erkand Karajit ishte në avantazh thuajse gjatë të gjithë kohës, ndërsa diferencën e bëri në periodën e dytë. Vllaznia provoi në pjesën e dytë, por falë eksperiencës së saj, Tirana e menaxhoi mjaft mirë lojën deri në fund. Tjetër paraqitje super nga Endrit Hysenagolli, me gjigantin bardheblu që koleksionoi dopietën e radhës dyshifrore, duke realizuar 25 pikë dhe 13 kërcime. Dopietë dyshifrore edhe për Frenki Lilajn, 14 pikë dhe 10 kërcime. 17 pikë për kapitenin Red Vogli, i cili spikati me gjuajtjet për 3, duke shënuar 5 të tilla. Për Vllazninë më të mirët ishin amerikanët Wilkins dhe Walton, me nga 19 pikë secili.
Kështu pas dy javëve të para të Superligës, Besëlidhja, Teuta dhe Tirana kryesojnë me pikë të plota. Kujtojmë që durrsakët mundën të premten Apoloninë në shifrat 93-79, sfidë e zhvilluar në “Ramazan Njala”.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi