Analiza/ Eduard Halimi: Pikëpyetjet mbi përgjimin e gjyqtarëve kushtetues dhe avokatëve në Shqipëri

Analiza/ Eduard Halimi: Pikëpyetjet mbi përgjimin e gjyqtarëve kushtetues dhe avokatëve në Shqipëri

Nga Eduard Halimi
(6 çështje për diskutim bazuar në 4 vendime të ECHR, Strasbourg dhe Kasacionit Italian)
Që prej fillimit, kam ndjekur me vëmendje çështjen e Sky ECC dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nisur nga një interes akademik dhe shkencor mbi ndikimin e teknologjisë në hetimet penale, si dhe nga nevoja për të kuptuar më thellë kontratën mes politikës dhe krimit në Shqipëri.
“Ti më ndihmon mua me forcën dhe paratë e tua të fitoj zgjedhjet, dhe unë në pushtet, të mbroj, të jap fuqi, të jap tendera, të emëroj njerëzit e t’u në polici/bashki/qeveri/gjyqësor/prokurori, kundërshtarët e t’u i përndjek, ty të mbroj, ty të jap prona shtetërore dhe të heq taksat, kundërshtarëve ua sekuestroj/konfiskoj me OFL etj!
Sot janë publikuar listat dhe fushata ka nisur. Prokuroria e vitit 2025 (si ajo e posaçme, ashtu edhe e përgjithshme) thotë se ka krijuar një task-forcë, një portal dhe infrastrukturë të avancuar për përgjime hetimore. Ajo përballet tani me sfidën më madhore: ndalimin dhe çmontimin e kësaj kontrate vrastare për demokracinë dhe shtetin ligjor dhe të së drejtës! Ka shtete që e luftojnë krimin, ka shtete që i shkelin syrin krimin, por në Shqipëri simbioza e krimit me politikën siç rezulton nga përgjimet e Sky ECC dhe EncroChat, është unike! Nëse nuk veprohet brenda dy muajve të ardhshëm, çdo diskutim pas 11 majit do të jetë i kotë si për ne (qytetarët) dhe për ata (drejtësinë).
Pas datës 11 maj, nëse prokuroria nuk e parandalon  kontratën e simbiozës “krim-politikë” do të vendosin ata, simbioza, për drejtësinë e 2025 e në vijim, njëlloj siç vendosën prej 2013 e deri më sot. Ia kam thënë hapur në takime apo tryeza paraardhësve të tyre gjatë 2013-2017 pasi edhe ata i njihnin mirë elementët dhe simbiozën krim-politikë por nuk reaguan në kohë se donin të qëndronin në “confort zone”, por reaguan pas disa vjetësh. Sot mund ta konfirmojnë ose mohojnë lehtësisht mqse disa nuk janë në sistem por po e them këtë sot publikisht që nesër prokuroria e 2025 të mos ankohen më kot.
“Verba volant, scripta manent.” (Fjalët fluturojnë, e shkruara ngelet) thonë latinët. Sot prokuroria e 2025 e ka më të lehtë, kanë një thesar nga Sky ECC, Encrochat dhe Matrix dhe duhet të veprojnë me guxim, sa për Shqipërinë aq dhe për veten e tyre, integritetin e drejtësisë 2025-2030. Në një analizë më të zgjeruar rreth kësaj teme mund të flas javën e ardhshme. Prokuroria duhet të jetë efikase dhe me efekte parandaluese për ti vënë para përgjegjësisë penale personat që janë përfshirë në thesarin e SKY ECC, EncroChat apo Matrix para se të marrin një mandat. Si atë të ligjbërës për ata vetë por edhe mandate të tjera kushtetuese. Padyshim duke qëndruar larg politikës, pasi askush nuk do në prokurori politike.
Dhe kjo nuk ndalet vetëm këtu. Pak ditë më parë u publikuan disa përgjime nga një dosje penale hetimore sesi ish-kryetarja e KLGJ ndërhynte në maxi-proçesin e Inceneratorëve. Unë mund ta kuptoj interesimin e politikanëve për kolegët e tyre apo ish kolegët ndoshta, por kjo zonja që përfaqësonte qeverinë e pushtetit të tretë që duhej të ishte e pavarur sipas Kushtetutës, çfarë donte? Çfarë pret SPAK ta çojë para përgjegjësisë këtë zonjë, apo pret që t’i bëhet anëtarë e GJK me propozim nga presidenti dhe të gjykojë vendimet e SPAK nesër? Apo pret të zgjidhet anëtarë e GJK e ta vendosë nën përgjim? Ky është një rast tjetër mbi rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë, parandaluese dhe efikase të prokurorisë!
Por sot dua të ndalem më shumë tek çështja e përgjimeve të gjyqtarëve dhe avokatëve në aspektin teknik dhe jo politik edhe pse ky debat i sotëm nuk është vetëm teknik. Ai prek drejtpërdrejt shtetin ligjor, balancën mes fuqisë së hetuesve të SPAK dhe të drejtave të individëve, si dhe ruajtjen e një distance të qartë mes krimit dhe institucioneve shtetërore. Vendimin unison të Gjykatës Kushtetuese e kam përshëndetur si një vendim të guximshëm. Arsyetimin e tij po ashtu! Kam dëgjuar nga disa gazetarë që vendimi nuk thotë asgjë, por në analizën time në rrjete sociale publikuar më datë 16 shkurt edhe nga disa media si Panorama, Pamfleti, Hashtag etj., kam shpjeguar qartë se vendimi konfirmon legjitimitetin e përdorimit të këtyre dokumenteve. Nëse do të ishte bazuar edhe në vendimin e Gjykatës së Kasacionit Italian mbi Sky ECC, nëntor 2024 arsyetimi do të ishte edhe më solid.
* Përgjimi  i publikuar dhe dilemat që ai mbart!
Publikimi në media i dokumenteve që sugjerojnë se është kryer përgjimi ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të paktën një anëtari të saj dhe disa avokatëve pas përfundimit të procesit dhe në pritje të zbardhjes së vendimit, ishte një surprizë për mua.
Përgjimi është urdhëruar më 10 shkurt, ndërsa vendimi është publikuar i zbardhur më 15 shkurt. Nuk di çfarë ka ndodhur në ato 5 ditë, apo 15 ditë përgjimesh sepse prokuroria ende nuk ka publikuar asnjë provë që të justifikojë këtë veprim kaq të diskutueshëm. Nëse fokusi do ishte vendimet e zbardhura me 5 ditë vonesë mjafton që SPAK të çojë një hetues në Gjykatën Administrative më Tiranë dhe do gjente aty vendime që zbardhen për 340 ditë në abuzim të pastër me detyrën dhe të drejtat kushtetuese të palëve për të cilën do flasim herë tjetër por duket se SPAK ka patur fokusin tek krimi i organizuar.
Avokatët në Shqipëri kanë bërë shumë mirë që kanë ndjekur një praktikë të njohur në Evropë, duke sfiduar legjitimitetin e përgjimeve te inkriptuara– siç ndodhi në Gjermani, Francë, Angli dhe Itali lidhur me operacionin francez “Vanilla” për Sky ECC dhe EncroChat. Më shumë se emrat e gjyqtarëve të përgjuar për mua kanë rëndësi procesi, avokatët dhe roli i tyre!
Përgjimi i avokatëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri shton sfida mbi:
✅ Balancën mes luftës kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes së profesionit të avokatit
✅ Respektimin e barazisë së armëve mes palëve në proces
✅ Standardet e një procesi të drejtë dhe të paanshëm
Deri më tani, SPAK nuk ka konfirmuar apo mohuar dokumentet e rrjedhura në media, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka bërë një reagim të vakët.
* Parimet mbi të cilat bazoj vlerësimin tim
Përpara se të shprehja qëndrimin tim mbi këtë rast, kam ndjekur një qasje të kujdesshme, duke u konsultuar me:

Qëndrimet e mia të mëparshme mbi përgjimet , duke analizuar historikun e ndryshimeve ligjore të ligjit 9157/2003 (që ka ndryshuar të paktën 4 herë). Duke qenë se në fillim media e paraqiti si përgjim parandalues, por që rezultoi më vonë procedurial, e pashë me vëmendje dhe këte ligj)
Vendimet e mia të mëparshme si ligjvënës, përfshirë kundërshtimin me sukses të ligjit për BKH në vitin 2015, i cili e vendoste këtë strukturë nën varësinë e Kryeministrit dhe Ministrisë së Brendshme (shih vendimet e GJK).
Rileximin e propozimeve për ndryshimet e KPP në 2016, që u miratuan njëanësisht në 2017, pavarësisht kundërshtimeve të mia të forta në atë kohë dhe jo të mirëkuptuara!
Katër vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) relevante për këtë çështje.
Vendimin e fundit të Gjykatës së Kasacionit Italian, nr.45578/2024) publikuar me argumenta nga kolegu italian Nicola Canestrini!

Pasi analizova këto faktorë, në platformën LinkedIn hapa një diskutim me disa pyetje për avokatët/prokurorët dhe gjyqtarët bazuar edhe në 4 vendime të GJEDNJ dhe atë të Kasacionit Italian 11/12/2024 (ku një avokat i mafias ishtë përgjuar në komunikim me klientin) dhe falënderoj të gjithë ata që ndanë opinionin e tyre me mua më inbox dhe WhatsApp.
📌 Vlerësimi im dhe 6 Çështje kyçe mbi legjitimitetin e përgjimit të avokatëve dhe gjyqtarëve
1️⃣ A lejohet përgjimi  i avokatëve dhe gjyqtarëve sipas ligjit vendas dhe praktikave ndërkombëtare?
📌 Përgjigje:

Ligjërisht, përgjimi nuk është plotësisht i ndaluar. Ligji vendas, KPP, parashikon rastet në nenet 221, 222 e 223  dhe unë nuk dua të zgjatem pasi kolegë të mi e kanë bërë javën e kaluar, por duhet të plotësojë disa kushte strikte.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) ka vendosur që përgjimi i avokatëve dhe gjyqtarëve cenon të drejtat themelore, përveç rasteve kur justifikohet nga nevoja për të parandaluar ose ndëshkuar një krim të rëndë. (Vendimi “K… vs. Zvicra”, 1998)
Gjykata e Kasacionit Italian (Nr. 45578, 11 dhjetor 2024) konfirmoi se përgjimi është i mundur vetëm nëse nuk përfshin biseda të privilegjuara.

2️⃣ A mjaftojnë mekanizmat ekzistues për të mbrojtur konfidencialitetin dhe pavarësinë?
📌 Përgjigje:

Mbikëqyrja gjyqësore është një kusht i domosdoshëm, por nuk garanton gjithmonë që përgjimet të mos përdoren në mënyrë të paligjshme.
Sipas ECHR, autoritetet duhet të kenë mekanizma efektivë për të ndarë bisedat e mbrojtura nga ato që mund të përdoren në proces. (Vendimi “M… kundër Francës”, 2006 dhe “V-C dhe Cr… kundër Francës”, 2012)
Italia e zgjidh këtë çështje duke lejuar vetëm përdorimin e bisedave që nuk lidhen me këshillën juridike. (Kasacioni Italian, 2024)

3️⃣ Kur mund të justifikohet përgjimi i avokatëve dhe gjyqtarëve në një hetim penal?
📌 Përgjigje:

Vetëm kur ka dyshime të forta për përfshirje të drejtpërdrejtë në një aktivitet kriminal.

Nëse do përgjoheshin avokatët e eksponentëve të PS që janë të procese, 80% e pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës, që është kthyer më studio ligjore të PS, do duhej të ishte para drejtësisë, për shkeljen e hapur të ligjit duke qenë edhe avokat edhe pedagog!

Gjykata Evropiane ka argumentuar se çdo përgjim duhet të jetë i proporcionuar dhe të mbështetet në prova paraprake. (Vendimi “B… vs. Rusia”, 2009)
Në Itali, gjykata e lejoi përgjimin sepse avokati nuk dha këshillë juridike. Avokati i G.R. dyshohej se kishte lehtësuar komunikimin mes G.R. dhe anëtarë të organizatave kriminale, duke vepruar si ndërmjetës në marrëdhëniet e paligjshme me mafian.  (Kasacioni Italian, nr.45578/2024)

4️⃣ A përbën shkelje të barazisë së armëve fakti që i njëjti prokuror që është palë në proces ka vendosur nën përgjim gjyqtarët dhe avokatët?
📌 Përgjigje:

Po, kjo krijon një konflikt të mundshëm interesi, pasi prokurori, i cili duhet të jetë një palë në proces, ka marrë një avantazh të padrejtë ndaj avokatëve dhe gjyqtarëve duke i përgjuar ata. Mendoni pak sikur në një ndeshje futbolli njëra skuadër të fusë përgjues në dhomat e zhveshjes së tjetrës. Apo gjatë fushatës elektorale njëra parti të fusë përgjues në selinë e tjetrës ( “Watergate scandal” USA që çoi në dorëheqjen e  ish presidentit Nixon).
Kjo prish ekuilibrin mes akuzës dhe mbrojtjes, pasi prokurori ka akses në informacion të ndjeshëm, që mbrojtja nuk e ka, duke minuar kështu parimin e një procesi të drejtë. (Vendimi “M… kundër Francës”, 2006, ECHR)

✅ Nëse do kishim të bënim vërtet me krim të ri në zhvillim që rezultonte e provuar nga përgjime kritike ndoshta mund  të caktohej një prokuror tjetër për të shmangur këtë konflikt interesi. (Vendimi “B… vs. Rusia”, 2009, ECHR)
✅ Kjo praktikë mund të ndikojë tek pavarësia e gjyqësorit duke krijuar një efekt frikësues ndaj gjyqtarëve që po shqyrtojnë çështjen. (Vendimi “K… vs. Zvicra” 1998)
✅ Rreziku i kalimit nga një drejtësi akuzatore në një drejtësi inkuizitore është real, pasi prokuroria po fiton një fuqi disproporcionale ndaj mbrojtjes dhe gjykatës. (Kasacioni Italian, 2024)
5️⃣ A vendos ky vendim (Kasacioni italian nr.45578/2024)) një ekuilibër mes privilegjeve ligjore dhe hetimeve penale në rastin e organizatave kriminale (mafias)?
📌 Përgjigje:

Vendimi i Gjykatës së Kasacionit Italian përpiqet të krijojë një ekuilibër, por mbetet i diskutueshëm.
Nëse interpretohet gjerësisht, mund të përdoret për të justifikuar përgjime më të shpeshta ndaj avokatëve dhe gjyqtarëve.

* Gjykata italiane argumentoi se përgjimet ishin kritike për zbulimin e provave të krimeve të reja dhe të rënda, ndërsa deri tani prokuroria në Shqipëri nuk ka ofruar asnjë shpjegim se çfarë ka ndodhur në ato 5 apo 15 ditë përgjim, nëse ishte apo jo i nevojshëm përgjimi i gjyqtarëve dhe avokatëve dhe nëse përgjimi ishte kritik për të zbuluar krime të reja!

ECHR ka përcaktuar se privilegji avokat-klient është një nga shtyllat e një procesi të drejtë dhe çdo kufizim duhet të jetë i justifikuar dhe proporcional. (Vendimi “M… kundër Francës”, 2006)

🔚 Përfundim
✅ Përgjimi i avokatëve dhe gjyqtarëve nga i njëjti prokuror që është palë në proces përbën një problem të diskutueshmëm procedural dhe mund të cenojë parime kushtetuese dhe europiane lidhur me barazinë e armëve.
✅ Një prokuror tjetër duhet të kishte marrë përsipër këtë detyrë për të shmangur çdo konflikt interesi nëse përgjimet kritike po çonin drejt një krimi të ri në zhvillim, çka deri tani prokuroria nuk ka sjellë asnjë argument!
✅ Kjo praktikë mund të ndikojë tek pavarësia e gjyqësorit duke krijuar një efekt frikësues ndaj gjyqtarëve që po shqyrtojnë çështjen.
✅ Nëse praktika e përgjimit nga prokurorët e përfshirë në procese bëhet normë, rrezikojmë të kalojmë nga një drejtësi akuzatore në një drejtësi inkuizitore, ku prokuroria ka një fuqi disproporcionale ndaj mbrojtjes dhe gjykatës.
✅Marrdhënia mes avokatit dhe klientit është e shenjtë dhe nuk duhet prekur! Ajo është shtylla e një procesi që garanton të drejtat dhe liritë themelore!
❌ Sulmet dhe përdorimi i mjeteve proceduriale të njëanshme me qëllim intimidimet ndaj avokatëve duhen ndalur!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente