
Akuzohet për shpërdorim detyre! Apeli i GJKKO zbut dënimin për ish-kryebashkiaken e Libohovës, Luiza Mandi! Ja çfarë vendosi
Gjykata e Posaçme e Apelit zbut dënimin për ish-kryebashkiaken e Libohovës, Luiza Mandi.
Në seancën e sotme, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi deklarimin fajtore për “shpërdorim të detyrës” për ish-kryebashkiaken e Libohovës, por i zbuti dënimin, nga arrest në burg në shërbim prove me 1 vit e 4 muaj.
“Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën L.M. dhe vënia në provë për një afat prej një vit e katër muaj, duke u detyruar e pandehura të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Gjirokastër, në juridiksionin e së cilës ka vendbanimin, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale”, thuhet ne vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Luiza Mandi u akuzua për shpërdorim detyre pas denoncimit të një qytetari se në pronat e familjarëve të tij po zhvillohej një projekt nga Bashkia për zgjerimin e rrugës.
Pas këtij kallëzimi, SPAK sekuestroi projektin dhe konstatoi se ishte cënuar prona e familjarëve të cilët bënë edhe kallëzimin.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 19.03.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 12 akti, datë 20.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e ankueses/të pandehurës L.M., kundër vendimit nr. 38, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurës L.M., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe bazuar në nenet 49, 248 të K.Penal, dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
2. Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurës L.M., i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
3. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, të formës së prerë, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Bazuar në nenin 35 paragrafi 2 të K.Penal, heqjen e të drejtës së të pandehurës L.M. për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet.
5. Shpenzimet procedurale, ato gjatë hetimit të çështjes në vlerën 120.000 (njëqind e njëzet mijë) lekë si dhe ato të gjykimit, sipas formularit bashkëngjitur këtij vendimi, të paguhen nga e pandehura L.M.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 38, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me ndryshimin:
– Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën L.M. dhe vënia në provë për një afat prej një vit e katër muaj, duke u detyruar e pandehura të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Gjirokastër, në juridiksionin e së cilës ka vendbanimin, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
– Në bazë të nenit 61 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura L.M. t’iu përgjigjet thirrjeve e kërkesave të organeve për mbikëqyrjen e provës.
2. Shpenzimet gjyqësore në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurës L.M.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi