“Wanted” nga Dubai: 10 vite vizita zyrtare, asnjë i ekstraduar
Vizitat e ministrave të Brendshëm shqiptarë në Dubai janë të përvitshme por kërkesat për ekstradim të elementëve kriminalë nuk janë finalizuar asnjëherë. Mospasja enjë marrëveshje mes dy vendeve por dhe e procedurave kanë bërë që Emiratet e Bashkuara të kthehen në një oazë të grupeve kriminale. Çdo herë kur ministrat e brendshëm shqiptarë vizitojnë Dubain njoftimet që mbërrijnë nëpër redaksi janë ato të marrëveshjeve të përbashkëta, por kriminelët që fshihen vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë shqiptare.
Ky realitet nis me 2014-n e deri një vit më parë dhe marrëveshja ekstradimi mes dy vendeve ende nuk ka. Në shtator të 2014 ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vizitoi Dubain. Lajmi u shoqërua dhe me pamje ndërsa në njoftimin zyrtar thuhej se ministri ka zhvilluar një sërë takimesh në funksion të forcimit të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Në vitin 2020 ndonëse ministri në atë kohë Sandër Lleshaj nuk vizitoi Dubain, shkatërrimi i kartelit të drogës Los Blancos nuk mund të kalonte pa u përmendur. Edhe një herë Shqipëria tregoi se ka bashkëpunim për goditjen e krimit të organizuar, por deri më sot asnjë të ekstraduar.
Në një postim në rrjetet sociale Lleshaj shprehej se operacioni dëshmoi edhe një herë nevojën e madhe, por dhe dobinë e jashtëzakonshme që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili mund të luftohet me sukses real vetëm kur agjencitë e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë ngushtë në nivel operacional.
Një vit më pas Bledi Çuçi do të vizitonte Dubain për të takuar po të njëjtin ministër që gati 7 vite më parë kish pritur Saimir Tahirin. Njoftimet për median do të ishin të njëjta se “Shqipëria është gati të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi, por sërish asnjë i ekstraduar. Së fundmi, historia e vizitave me të njëjtin ministër të brendshëm të Dubait do të përsëritej dhe me Taulant Ballën. Deklaratat ndonëse ndryshojnë në formë nga paraardhësit e tij, përmbajtja është e njëjtë, njësoj si dhe rezultati pa ekstradime.
Së fundmi, Ministria e Drejtësisë dërgoi në Dubai procedurën për ekstradimin e një tjetër të shumëkërkuari shqiptar. Durim Bami për të cilin u ofruan 1 milionë euro nuk mundi të eliminohej nga kundërshtarët e tij në Shqipëri dhe u largua në Dubai. Jo vetëm për të por edhe për të paktën 7 shqiptarë të tjerë të kërkuar nga drejtësia shqiptare deri më tani nuk është mundur të bëhet asgjë.
Por nëse tradita nga Dubai do të vijojë po e njëjta edhe në këtë rast, në mungesë të marrëveshjes për ekstradim, autoritetet tona shpresat i kanë orientuar drejt një tjetër mekanizmi, atij të dëbimit. /A2 CNN
Burimi