Takimi i Ramës me mjekët e Onkologjikut, Alimehmeti: Nuk shikon raportin e KLSH, por u hedh fajin të tjerëve

Takimi i Ramës me mjekët e Onkologjikut, Alimehmeti: Nuk shikon raportin e KLSH, por u hedh fajin të tjerëve

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka komentuar skandali te Onkologjiku dhe deklaratat e Ramës në takimin e zhvilluar me mjekët dhe infermierët e këtij spitali.
Ai tha se Rama se vijon me të njëjtin qëndrim, duke ia hedhur fajin të tjerëve. Alimehmeti shtoi se Rama premtonte në vitin 2013 shëndetësinë falas, ndërsa sot rezulton se 60% e shërbimeve paguhen nga xhepat e qytetarëve.
“Edi Rama nuk shikon raportet e KLSH që nxjerrin abuzimet, nuk pranon kolapsin e sistemit që donte të ndërtonte falas dhe kapet me episodet e caktuara duke ia hedhur përgjegjësinë të tjerëve. Do e kisha përgëzuar Edi Ramën sikur ti kishte mbledhur mjekët dhe tu kërkonte bashkëpunim, që të kërkonte zgjidhjen e problemeve, por çfarë bëri, i bëri gjyqin”, tha Alimehmeti për “News 24”.
Ai shtoi se kush ka shkelur ligjin duhet të përballet, por derisa del gjykimi kemi edhe prezumimin e pafajësisë.
“Edi Rama në atë takimin i bëri gjyqin publik, gjyqin popullor. Kjo përmbytje që po na ndodh ne tani vjen nga disa lumenj. Le të kapen fenomenet, por pyetja që kam unë është: kush e ka vendosur këtë model, kush i krijoi situatat që sot kemi numrin më të vogël të mjekëve në Europë?”, tha Alimehmeti.
Mjeku epidemiolog shtoi se brenda dosjes së Onkologjikut kemi 3 çështje: medikamentet që dalin nga spitali drejt farmacive private, dërgimi i pacientëve në klinika private dhe mosvënia në punë e pajisjes mjekësore.
“Nëse ka mjaftueshëm kimio-terapi për pacientët që trajtohen te Onkologjiku, nëse ka mjaftueshëm pajisje mjekësore, a do të kishim sot ne këtë situatë? Nëse do të kishim mjaftueshëm mjekë, a do të përballeshim me situata të tilla? Detyra e Qeverisë është ti dalë përpara kësaj çështjeve”, u shpreh ai.
Burimi