“SPAK ka vepruar me integritet”/ Ambasada britanike uron Dumanin për suksesin në luftën ndaj korrupsionit
Altin Dumani dhe Blinken
Ambasada britanike në Tiranë ka uruar sot kreun e SPAK, Altin Dumani, për njohjen si Kampion Kundër Korrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ambasada thekson se, ky çmim prestigjioz nxjerr në pah përpjekjet e jashtëzakonshme të Dumanit në drejtimin e punës së SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kjo është thelbësore për progresin e reformave të Shqipërisë dhe për të siguruar besimin e qytetarëve të saj, nënvizon Ambasada britanike.
“Nën drejtimin e z. Dumani, SPAK ka vepruar me integritet, përgjegjshmëri dhe në interes të shtetit ligjor. Përkushtimi i tij ka mbështetur SPAK-un për të ofruar një performancë të qëndrueshme dhe të suksesshme në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të fuqishme kriminale”, thuhet në një postim të Ambasadës britanike.
Ambasada thekson se, “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbetet e vendosur për të mbështetur SPAK-un dhe reformat në drejtësi të Shqipërisë. Nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, ne do të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, të luftojmë krimin e organizuar dhe të forcojmë sundimin e ligjit”.
altin dumani shba
Burimi