Shpenzimet në zgjedhjet 2023, KQZ kërkon gjobitjen e partive; PS e PD mes shkelësve më të mëdhenj
Partitë politike por edhe kandidatët e tyre vijojnë të mos zbatojnë Kodin Zgjedhor kur vjen puna te shpenzimet elektorale. Edhe auditimi i parave të hedhura gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2023 nxori në pah se mbi 90% e subjekteve garuese kanë probleme me deklarimet e tyre. Për këto, KQZ ka kërkuar nga KAS vendosjen e gjobave, që shkojnë në disa miliona lekë, transmeton A2.
Auditimi i shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore për vendoret e 2023 nxjerr sërish me probleme partitë politike. Me propozim të kreut Ilirjan Celibashi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një projektvendim të posaçëm ku kërkon gjobitjen e pothuajse të gjithë garuesve në zgjedhje, ku gjoba më e rëndë shkon për të mëdhenjtë, Socialistët e Demokratët.
Konkretisht për Partisë Socialiste KQZ propozon një sanksion administrativ për refuzim bashkëpunimi me auditët e KQZ-së, gjobë e cila shkon deri në 3 milionë lekë. Por krahas subjektit, KQZ kërkon që të gjobiten edhe 9 kandidatë për kryetar bashkie të cilët kishin pranuar si dhurata elektorale sende apo shuma monetare mbi vlerën e lejuar 50 mijë lekë.
Rasti i Partisë Demokratike, është më i ndërlikuar pasi Sali Berisha do të duhet të paguajë gjobën për veprime gjatë një periudhe kohore në të cilën nuk e ka pas drejtuar subjektin, teksa përgjegjës ishin njerëzit e Lulzim Bashës. Konkretisht edhe për PD-në, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve propozon dy gjoba të cilat së bashku shkojnë në vlerën e 4 milionë lekëve.
Ilir Meta pritet të ndëshkohet me 1 milionë lekë për dërgimin me vonesë të raportit financiar, ndërsa 32 gjoba të tjera janë për kandidatët për kryetar Bashkie të Partisë së Lirisë ku shumica janë të Berishës, pasi në mungesë të një logo partie asokohe, i kandidoi në emrin e partisë aleate. Këto kandidatë sipas KQZ-së kanë marrë dhurata përtej kufirit që përcakton ligji.
Tashmë këto propozime të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve do t’i marrë në shqyrtim Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, që do të vendosë se sa do të gjobiten qoftë partitë, ashtu edhe kandidatët. /A2 CNN
Burimi