Sherri ku mbeti i vrarë Fatjon Bici, Apeli lë në fuqi vendimin, babai: Të merren masa ose do bëj vrasje!
Sot në Gjykatën e Apelit u zhvillua seanca për autorët e dyshuar për vrasjen e të miturit Fatjon Bici pranë shkollës në Gramsh. Seanca u mbajt në orën 11.00, ku i pranishëm ishte babai dhe familjarët e të miturit, të cilët kërkojnë drejtësi për të ndjerin.
Babai i të ndjerit është shprehur se mosdrejtësia po i vret për herë të dytë të birin.
Në seancën e sotme mbrojtja kërkoi që të mos pranohej gjykim i shkurtuar, të kthehej në shkallë të parë ose në edhe një herë në Apel.
Babai i Fatjonit nuk është dakord me dënimin për të miturit.
“Më vranë për së dyti. Nuk duroj dot më. Kam heshtur, por më shkelën me këmbë, nuk ka më drejtësi. Të merren masa ose do bëj vrasje”, tha ai.
Autori i dyshuar dhe një nga bashkëpunëtorët janë lënë në arrest shtëpie, për shkak se u tejkaluan afatet e masës së sigurisë arrest me burg. Tashmë rikthehen në qeli, sepse vendimi është i formës së prerë.
Autori Orgito Çarçiu rrezikon deri në 12 vite burg, ndërsa pritet vendim për Ergi Karaj, Stiven Murati, Xhonatan Çekrezi. Mbi katër të miturit e marrë si të pandehur rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese.
Nga Gjykata e Elbasanit E.K u dënua me 12 vite burg për veprën penale të vrasjes, 10 vite burg për veprën penale plagosje, 10 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë dhe 5.5 vite për armëmbajtje. Në total ai u dënua me 27 vite burg por me gjykim të shkurtuar Gjykata vendosi përfundimisht 18 vite burg për të.
O.Ç u dënua për katër vepra penale 21 vite burg gjithsej dhe falë gjykimt të shkurtuar ai do të vuajë 14 vite burg.
Xh.Ç u dënua nga gjykata për 4 vepra penale me 12 vite burg, por me gjykim të shkurtuar iu ul në 8 vite.Ndërsa S.M u dënua nga gjykata me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.
Si ndodhi ngjarja?
15-vjeçari Fatjon Bici ishte nisur për në shkollë, por se nuk u kthye më prej andej. Ai u vra me thikë në zemër, pasi u fut për të ndarë sherrin mes kushëririt të tij dhe bashkëmoshtarëve.
Ngjarja e rëndë u shënua më 16 Maj 2023, vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur.
Burimi