Raporti i DASH për trazirat e ‘98-ës: Si Berisha shfrytëzoi vrasjen e Azem Hajdarit për grusht shteti dhe ja hodhi pa u lagur!
Trazirat e 1998
26 vite nga 14 shtatori i vitit 1998, ja si e raportonin amerikanët sulmin ndaj Kryeministrisë…
Sot shënohen plot 26 vite nga 14 shtatori i vitit 1998, ditë në të cilën Sali Berisha tentoi të merrte me dhunë qeverinë.
Më 12 shtator u vra me armë zjarri Azem Hajdari dhe kjo u shfrytëzua nga lideri demokrat i asaj kohe, Sali Berisha për “grusht shteti” dy ditë më pas. Berisha me besnikët e tij sulmuan me armë Kryeministrinë dhe mori Radio Televizionin Publik më 14 shtator. Vetë kryeministri Fatos Nano u largua nga sytë këmbët. Por ajo që ende ngjall shumë mister është se si ka mundësi që Berisha nuk u ndëshkua kurrë për këtë veprim.
Ndërkohë kjo ngjarje ka bërë bujë dhe te ndërkombëtarët. “Pamfleti” po sjell sot për publikun detaje nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut të viteve 1998-1999, ku është folur mbi vrasjen e Hajdarit dhe grushtin e shtetit të iniciuar nga Berisha.
“Më 12 shtator 1998, deputeti i PD dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, Azem Hajdari, u vra në një atentat pranë selisë së PD, çka solli protesta të dhunshme. Gjatë funeralit të tij më 14 shtator 1998 mbështetës të armatosur të PD bastisën zyra qeveritare për një kohë të shkurtër, si Parlamentin, Televizionin Shtetëror dhe Radion. U duk sikur ish-presidenti Berisha do të kryente një grusht shteti, por pas 72 orësh u rivendos rendi dhe protestuesit dorëzuan tanket që kishin marrë. Më pas Parlamenti hoqi imunitetin e Berishës për rolin e tij në kryengritje, por përfundimisht mbi të nuk u ngritën akuza. 12 njerëz u arrestuan për dhunën e ushtruar. PD refuzoi të merrte pjesë në të gjitha funksionet shtetërore në nivel kombëtar pas vrasjes së Hajdarit, duke bojkotuar edhe Parlamentin”, thuhet në raport.
Aty tregohet dhe ajo që ende nuk është qartësuar. Berisha ishte i pari që pas vrasjes tregoi me gisht autorët, por kur erdhi puna për të dëshmuar para drejtësisë refuzoi. Ai informoi amerikanët dhe shiti te ta Izet Haxhinë, por vetë nuk doli kurrë para drejtësisë, qoftë dhe si dëshmitar.
“Zyrtarët e PD përfshirë dhe Berishën, refuzuan të dëshmonin në hetimet për vrasjen e Hajdarit, duke argumentuar se hetimet ishin të motivuara politikisht. Kryeministri Nano dha dorëheqjen në shtator 1998, duke cituar mungesë mbështetjeje brenda Partisë Socialiste. Pandeli Majko, ish-sekretari i Partisë Socialiste u bë kryeministër, ndërsa PD e drejtuar nga Berisha u rikthye në Parlament në korrik 1999, pas zotimit të qeverisë se do të hetonte në tërësi dhe me drejtësi vrasjen e Hajdarit. Ndërkohë vazhdonte gjyqi i kreut të Partisë së Legalitetit, Ekrem Spahia dhe 12 mbështetësve të tij për ngjarjet e shtatorit 1998 që pasuan vrasjen e Hajdarit. Më 5 shkurt 1999, Leka Zogu u arrestua në Johanesburg, ku kishte jetuar prej vitit 1979, për zotërimin e një arsenali ilegal armësh e municionesh. Ai u lirua me kusht 10 ditë më vonë. Në tetor 1999, Majko humbi udhëheqjen e partisë ndaj Fatos Nanos duke u detyruar të dorëhiqej nga posti i Kryeministrit disa javë më vonë. Ilir Meta e pasoi atë në post”, thuhet në raport.
Sipas ligjit shqiptar në atë kohë, kryengritja e armatosur dënohej me burgim të përjetshëm. Berishës ju hoq imuniteti, por më pas prokuroria u tërhoq dhe nuk ngriti asnjë akuzë. Ai ja hodhi paq. /Pamfleti
Burimi