“Primaret në PD me rregullore të re”, Noka: Do të ketë hapësira për të rinjtë, figurat publike dhe aleatët

“Primaret në PD me rregullore të re”, Noka: Do të ketë hapësira për të rinjtë, figurat publike dhe aleatët

Me apo pa qeveri teknike, PD nuk do të heqë dorë nga primaret, ku demokratët vendosin me votë se kush do të jenë kandidatët për deputetë. Një proces që në të kaluarën ka sjellë jo pak hatërmbetje në parti dhe ka pamundësuar përfshirjen e figurave të reja jashtë radhëve të partisë.
Por, mesa duket, ky defekt do të korrigjohet për të bërë primaret më fleksibile. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se do të krijojnë hapësira për t’iu dhënë mundësi figurave të reja.
“Primaret do të jenë baza e përzgjedhjes së kandidatëve. Por ne do të bëjmë një rregullore dhe do të gjejmë klauzola për të krijuar hapësira për të rinjtë, për figurat potenciale intelektualë të fushave të ndryshme, njerëzve me imazh të mirë publik dhe ndikim në komunitetet e tyre apo edhe për koalicionin”, tha Flamur Noka për RTSH.
Noka u shpreh se kanë nisur diskutimet me aleatët për modalitetet për të vendosur për më të mirën. Veçanërisht me Partinë e Lirisë drejtuar nga Meta, që në vitin 2021, nuk pranoi të dalë në një koalicion të përbashkët dhe në lista të përbashkëta me PD-në.
“Kemi nisur diskutimet me aleatët për modalitetet për të vendosur për më të mirën. Di të them që këtë radhë treni opozitar do të ketë shumë vagonë dhe do të tentojmë ta zgjerojmë më çdo faktor opozitar. Ilir Meta është aleati kryesor i PD-së që në momentin që në krye të saj është Sali Berisha. Ilir Meta do të vazhdojë të jetë aleati kryesor i PD-së. Sigurisht edhe PR, PAA, PBDNJ etj., por aleati i parë dhe kryesor është Partia e Lirisë dhe Meta”, u shpreh Noka.
Burimi