Policët 12 orë në punë, kreu i sindikatës: Urdhri në kundërshtim me Kodin e Punës, mbingarkesë që do të ndikojë negativisht
Punonjësit e policisë përveçse nuk do të bëjnë pushime gjatë verës, ata janë të detyruar që gjatë kësaj periudhe të punojnë 12 orë në ditë. Një mbingarkesë e tillë bën që ata të mos jenë efektivë në kryerjen e detyrës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë Sadedin Fishta, tha se ky është abuzim pasi një punonjës nuk mund të punojë më shumë se 10 orë. Ai u shpreh se kjo mbingarkesë ndikon te shëndeti fizik dhe mendor pasi niveli i stresit është i lirë.
“Asnjë punonjës policie nuk detyrohet nga askush që të punojë mbi 10 orë, por në qoftë se kanë nevojë institucionet që t’i nxjerrin punonjësit e policisë mbi 10 orë punë, punonjësit të policisë i ofrohet një deklaratë dhe duhet ta firmosë deklaratën që jam dakord të punoj dhe kjo i paguhet menjëherë. Një punonjës nuk mund të punojë më shumë se 10 orë. Çdo punonjës që punon mbi 10 orë do të thotë që nuk ka efektivitet. Kjo mbingarkesë ndër vite ka ndikuar tek shëndeti fizik dhe mendor i punonjësve të policisë. Niveli i stresit është mbi 60%”, tha Sadedin Fishta, Kryetari i Sindikatës së Policisë.
Sipas tij, urdhri i firmosur nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku është në kundërshtim me kodin e punës.
“Është shkelur Kodi i Punës sepse jemi në një tjetërsim me anë të një vendimi të Kodit të Punës dhe të shprehjes që ka leje vjetore të ndara në dy pjesë. Nëse ndalohen disa muaj për të marrë leje vjetore atëherë do të thotë që je në shkelje të hapur të Kodit të Punës sepse po i vendos kufizime dhe po a shtyn për një periudhë tjetër. Është problematike e lidhur me orët shtesë që kanë punonjësit e policisë, e lidhur dhe me problematikat e tjera që ata hasin çdo ditë me vështirësitë, me mosmarrjen e dietave, me problematikat që kanë në rrugë me trafikun e rënduar, e gjithë kjo bëhet një situatë komplekse, stresuese dhe problematike”, tha juristi Redi Ramaj.
Pjesa më e madhe e tyre kanë prenotuar prej muajsh, por një vendim i tillë përkthehen në para të shkuara dëm.
“Kemi bërë prenotime për pushime, kemi paguar që në muajin Maj dhe na pezulluan lejet e zakonshme. Kush mi kthen lekët?”, tha një efektiv policie.
Problematike në radhët e policisë vijon të mbetet pagesa për orët shtesë.
“Të përballosh një ngarkesë të tillë me një numër kaq punonjësish është sakrificë. Të njëjtën sakrificë duhet të bëj edhe qeveria. Financat janë të prapambetura, rrinë me 6 muaj- 1 vit presin t’iu vij fondi apo të sigurojnë fonde. Duhet ta trajtosh financiarisht dhe këto janë probleme që sjellin uljen e perfomancës në punë, ulin aktivitetin në punë, bëjnë që edhe sëmundshmëria në radhët e policisë të jetë e lartë.
Një pjesë e punonjësve të policisë nuk po shpërblehen sepse qenkan brenda juridiksionit të drejtorisë vendore dhe nuk shpërblehen për largësinë kur kalojnë 30 km.
Rritja e pagave në raport me vendet e tjera, ne jemi sërish nga fundi. Rritja është shumë e madhe, por kemi vite që nuk kemi ecur në rritje siç kanë ecur vendet e tjera si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi”, tha Fishta për “Euronews Albania”.
Deri më 15 shtator të gjithë policët do të jenë në gatishmëri në shërbim të uniformës blu për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Burimi