Piu fotokosinë para SPAK, ndërron jetë në spital Pal Trashaj; MCA i bllokoi pronat 63-vjeçarit për 76 mijë lekë kredi
63-vjeçari Pal Trashaj
Burime nga QSUT bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
Ka ndërruar jetë Pal Trashaj, 63 vjeçari i cili mesditën e djeshme piu fotoksinë para SPAK.
63-vjeçari nga Lezha ishte viktimë e skemës së mashtrimit financiar me mikrokreditë që ka prekur një numër shumë të lartë qytetarësh në Shqipëri. Burime nga QSUT bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
Ai kishte shkuar për të takuar një hetues të BKH-së në SPAK, tha Prokuroria e Posaçme.
63-vjeçari i cili njihej si historian në qytetin e tij, dhe ka mbajtur dhe postin e PD-së në këtë qytet, 2007 – 2009, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.
Mësohet se Pal Trashaj kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra (76 mijë lekë të reja) te NOA. Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.
Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme.
Ndërkohë pjesë e grabitjes është bërë edhe Banka Kombëtare Tregtare, e cila i ka bllokuar llogarinë e pagës 63-vjeçarit. Në një dokument të dalë në media, duket se përmbarues është Helidon Xindi, një nga emrat që ka dalë te dosja e prokurorisë për aferat e Microcredit Albania. Vetë BKT në një përgjigje që i ka kthyer Trashajt, shprehet se është detyruar të zbatojë vendimin e përmbaruesit mashtrues.
“Mbështetur në shkresën tuaj protokolluar pranë nesh më Dt. 05.07.2022, në lidhje me kërkesën për “Lirimin e llogarive vendosur mbi llogaritë tuaja nga zyra përmbarimore Helidon Xhindi”, ju informojmë se: Pozita dhe roli i bankës në këtë proces është e natyrës pasive dhe është e detyruar të zbatojë urdhërat përmbarimore, duke respektuar Udhëzimin Nr.2 të BSH-ës dhe legjislacionin në fuqi. BKT zbaton ekzekutimet e Urdhrave Përmbarimore (Urdhër për Vendosje Sekuestro, Ekzekutive, Urdhër për Heqje Sekuestro) të cilat janë të lëshuara nga Përmbarues Privat Gjyqësorë të licensuar nga Ministria e Drejtësisë. Sqarojmë që urdhri për vendosje sekuestro mbi llogaritë tuaja është urdhëruar nga përmbaruesi Helidon Xhindi i cili rezulton me liçensë të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”, thotë BKT.
Nga ana e saj, vetë SPAK padinë e tij e ka kaluar në një tjetër prokurori dhe qytetari sot nuk është përfillur fare. Ai ka kërkuar takim me një hetues të BKH, por ata e lanë me orë të tëra jashtë dhe më pas, qytetari u detyrua të kryejë aktin ekstrem. Pra, duket se hajdutët e mikrokredive jo vetëm që po shkatërrojnë familje, por po rrezikojnë të marrin dhe jetë. /Pamfleti
fotoksine spak pal trashaj mca kredi 76 mijë lekë
Burimi