Pajiste të dënuarit me dëshmi penaliteti “të pastër”, dënohet ish-specialisti i burgjeve
Një ish-zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve është dënuar nga Gjykata e Posaçme pasi është përfshirë në afera korrupsioni.
Në vitin 2022, Arben Tusha, specialist pranë Sektorit të Gjendjes Gjyqësore, u denoncua në një emision investigativ.
Të dhënat e publikuara nga emisioni tregojnë se nëpërmjet ryshfetit, ai pajis një qytetar me vërtetim të gjendjes gjyqësore me të dhëna të rreme, ku nuk dokumentohet dënimi që kishte marrë.
Qytetari denoncoi në emisionin STOP se një zyrtarë i zyrës së Gjendjes Gjyqësore i kishte kërkuar 600 euro në mënyrë që t’i pastronte atij dëshminë e penalitetit. Vetë qytetari tregon se në vitin 2012 është dënuar me 8 vite burg, dënim të cilin e ka shlyer në vitin 2017. Tushe është dënuar me 1 vit burg, por i është konvertuar në shërbim prove.
Njoftimi i GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 167 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Ded Ndoj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojne funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Arben Tusha, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi me vendimin Nr. 75, datë 11.12.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Avdi Tusha, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Arben Avdi Tusha, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 2 (dy) vite burgim.
3. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Arben Avdi Tusha në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Arben Avdi Tusha, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjet.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ded Ndue Ndoj, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojne funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
6. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ded Ndue Ndoj, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 8 (tetë) muaj burgim.
7. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë për të pandehurin Ded Ndue Ndoj, për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos të kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; ëëë.gjp.gov.al
8. Në aplikim të nenit 190 të Kodit të Proçedurës Penale, provat materiale, konkretisht: i) 6 (gjashtë) DVR me materiale filmike të transmetuara nga emisioni investigative “Stop” të qëndrojnë në dosje; ii) 1 (një) CD me mbishkrimin MEDIA me materiale filmike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të qëndrojë në dosje; iii) 1 (një) vulë në formë drejtkëndore me të dhënat “Sektori i Gjendjes Gjyqsore Arben Tusha” t`i kthehet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi vendimi të marrë formë të prerë; iv) 1 (një) CD me informacionin e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të qëndrojë në dosje.
9. Shpenzimet gjyqësore dhe ato të hetimeve paraprake i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
10. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Burimi