Olimpiada “Paris 2024” nis numërimin mbrapsht, Shqipëria në dorë të mundjes dhe Luiza Gegës
Lojërat Olimpike “Paris 2024” kanë nisur numërimin mbrapsht, teksa tashmë na ndajnë vetëm 24 ditë nga starti i evenimentit më madhor global të sportit.
Edicioni i 33 i Lojërave Olimpike do të ngrejë siparin më 26 korrik, me ceremoninë e hapjes në kryeqytetin francez, një veprimtari që do të mbledhë 10500 sportistë nga e gjithë bota. Do të jenë gjithsej 329 evente, për 32 disiplina të ndryshme sportive, me aktivitetin që do ta ulë siparin më 11 gusht. Në “Paris 2024” Shqipëria do të shënojë pjesëmarrjen e saj të dhjetë në historinë e olimpiadave, teksa ekipi kuqezi do të formohet nga tetë sportistë, katër nga të cilët e kanë siguruar kualifikimin me normë në bazë të performancës sportive, ndërsa katër të tjerë shkojnë me ftesë.
Sportistët me normë – Atletja Luiza Gega si dhe tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev janë sportistët e Shqipërisë që shkojnë “Paris 2024” si të kualifikuar me normë. Për Luiza Gegën kjo do të jetë pjesëmarrja e saj e tretë në Olimpiadë, pas “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”, ndërsa rezultatin më të lartë e shënoi pikërisht në kryeqytetin japonez, ku shkroi historinë si e para atlete shqiptare që kualifikohet në finale. Ndërsa për tre mundësit rusë të natyralizuar me pasaporta shqiptare kjo do të jetë herë e parë që garojnë për flamurin kuqezi në Olimpiadë. Gjithçka ka nisur si strategji e presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, i cili që në fillim ka pasur një mendim fiks në kokë, duke i afruar këta kampionë për të synuar medaljen e parë olimpike për Shqipërinë.
Sportistë me ftesa – Përveç normave, ekipi shqiptar ka përfituar edhe katër ftesa për “Paris 2024”. Kështu me ftesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të konkurrojnë Franko Burraj në atletikë, Greisi Koxhaku dhe Kaltra Meça në not si dhe Manjola Konini në qitje sportive.
Pritshmëritë – Shqipëria është në kërkim të medaljes së parë olimpike në historinë e saj dhe sigurisht që pritshmëritë mbeten te sportistët e kualifikuar me normë, të cilët janë të kalibrit botëror. Duke parë performancën sportive të vitit të fundit, më pranë medaljes me rezultat janë sportistët e mundjes, Abakarov, Dudaev dhe Valiev, të cilët vijnë si medalistë në evente botërore, europiane gjatë këtij viti. Gjithashtu edhe Luiza Gega mbetet gjithnjë në nivele absolute në një nga garat me rivalitetin më të lartë, siç është ajo e 3000 metrave me pengesa.
Rekordi i Caljes – Rezultatin më të lartë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike e mban peshëngritësi Briken Calja, i cili iu afrua me 1 kg podiumit, duke u klasifikuar në vend të katërt në “Tokio 2020”. Pas disa sezonesh të kushtëzuara nga probleme të shumta fizike, Calja nuk ka mundur që të kualifikohet për në “Paris 2024”. Ndërkohë Shqipëria për herë të parë në të gjithë historinë e saj në Lojërat Olimpike s’do të ketë asnjë sportit nga peshëngritja.lojërat olimpike luiza gega islam dudaev
Burimi