Me not nga Italia në Shqipëri, rrëfehet Eva Buzo: Drejt fundit kisha haluçinacione, por ja dola!
Eva Buzo ia doli të bëhet atletja e parë grua që kalon me not kanalin e Otrantos.
Shqiptaro-australiania përfundoi sfidën e saj duke përshkuar me not 90 km nga brigjet e Lecces në Itali, në gadishullin e Karaburunit për 35 orë e 17 minuta.
Sfida nisi pasditen e 17 gushtit 2024 nga shkëmbijtë e San Foca, pranë Lecces-s, dhe përfundoi rreth orës 05:00 të mëngjesit të 19 gushtit, kur preku tokën shqiptare në afërsi të kepit të Gjuzës, në një nga gjiret e Karaburunit.
Pas përfundimit të sfidës, Eva ka rrëfyer emocionet dhe vështirësitë me të cilat u përball gjatë rrugës.
-Eva si ndihesh për këtë arritje?
Eva Buzo: Për momentin po ndjej shumë emocione dhe sigursht jam e lodhur. Ndihem tepër krenare që ia arrita sepse ishte diçka qe e dija që mund ta bëja dhe për këtë mu deshën shumë vite për të arritur këtu.
-Kjo është hera e dytë që e provoni dhe cili ishte qëllimi juaj për ta arritur këtë gjë?
Eva Buzo: Mendoj që jam zhvilluar shumë si sportiste këto vitet e fundit dhe gjihtmonë e dija që ishte diçka për tu bërë pavarësisht sa kohë mund të zgjaste. Gjithmonë kam dashur të bëja diçka për Shqipërinë, për vendin tim dhe bashkëpunimi me një ekip shqiptar në varkë që më shoqëronte ishte diçka speciale dhe na jep kënaqësinë e realizimit në grup së bashku.
-A hasët probleme gjatë udhëtimit tuaj ?
Eva Buzo: Shumë gjëra të ndryshme, kur dola nga uji isha tepër e zbehtë dhe këtë gjë po ia tregoja edhe nipërve në mëngjes. Është një rënie graduale dhe ti nuk e dallon dot kur je në ujë. Problematika më e madhe janë rrezet e diellit dhe djegia nga rrezet dhe trupi gradualisht lodhet. Njëri krah është më i lodhur se tjetri ose anasjelltas por duhet të jesh e fokusuar dhe të mendosh sikur je diku tjetër dhe po relaksohesh që mos ta ndjesh shumë lodhjen.
Kur po arrinim drejt fundit ndihesha tepër e frikësuar sepse truri po luante lojëra me mua dhe shihja gjëra të ndryshme dhe në fund më duhej vetëm të prekja gurët. Ishte aq shumë errësirë dhe nuk mund t’i shihja dhe për shkak se kisha haluçinacione. Po shikoja gjëra të frikshme dhe skuadra po më thoshte që thjesht të notoja sepse isha në fund. Unë arrita t’ia dilja në një mënyrë apo në një tjetër.
-A keni një këshillë për të rinjtë në Shqipëri, Australi dhe në mbarë botën?
Eva Buzo: Është tepër e vështirë për tu thënë, por kjo ishte ideja dhe aventura ime dhe është përgjegjësia ime ta përmbushja. Asnjë nuk do ta bënte këtë gjë për mua, kështu që duhet ta bëja vetë. Çdokush ka ëndrra dhe vizione dhe çdo gjë varet nga ju për të bërë zgjedhjet dhe duhet të besoni në veten tuaj për të realizuar atë që dëshironi.
Burimi