Lidhjet me mafian dhe narkotrafikantët, virusi që ka kapluar policinë e cila del në çdo ngjarje kriminale

Lidhjet me mafian dhe narkotrafikantët, virusi që ka kapluar policinë e cila del në çdo ngjarje kriminale

Në zbardhjen e aplikacionit SKY ECC, dalin gjithandej flirtimet e afërta të oficerëve senior të policisë së shtetit me bandat më të frikshme kriminale mafioze.

Në dy ngjarjet e fundit të bujshme në kryeqytet, ajo e vrasjes së biznesmenit Eduard Reçi, ashtu edhe në vrasjen e Klaudio Prendit, patëm protagonistë oficerë të rëndësishëm të policisë.
Në rastin e parë, një oficer policie i kryeqytetit është nën akuzë për vrasje ndaj Reçit. Në rastin e dytë, i ndjeri Prendi ishte në shoqërinë e dy oficerëve të rëndësishëm përpara vrasjes. Ndërkohë në atentatin e bujshëm në Shkodër, në prezencën e policisë u largua Ibrahim Lici, i cili është një nga personat më të kërkuar në vend.Ndërkaq, në zbardhjen e aplikacionit SKY ECC, dalin gjithandej flirtimet e afërta të oficerëve senior të policisë së shtetit me bandat më të frikshme kriminale mafioze.
Përkatësisht nuk jemi në një situatë ku mund të flasim për episode, por për një fenomen të përhapur që në thelb është një kancer, një oktapod me mesastaza në të gjithë trupin e agjencisë që duhet të ruajë dhe të mbrojë qytetarët nga krimi.
Para pak ditësh, menjëherë pas rrokadës së kreut të policisë qendrore dhe atyre në qarqe patëm një operacion në shkallë të gjerë, kundër të ashtuquajturëve llotari sportive ‘online’ të paligjshme. Operacion që pati disa zhvillime; arrestime e sekuestro, ndërkohë që poshtë në terren ekziston një ndjesi, madje siguri, se ky operacion nuk është asgjë tjetër, vetëm një abuzim.
Pasi shefat e rinj, sipas ndjesisë poshtë në terren, po u shkojnë subjekteve tregtare për të marrë “zekatin” që ata i kanë paguar shefave të vjetër.
Në realitet, në çdo lagje, njësi banimi sheh oficerë policie që mësyjnë lokalet që punojnë me baste dhe kërkojnë “picën” e cila sipas zërave shkon deri në 100-150 euro në muaj, fiks sa bonusi i pensioneve.
Ky fenomen ka krijuar një ‘shock’ që kërkon një veprim imperativ dhe të fortë. Të cilin nuk mund ta bëjë vetëm policia, por duhet të ndërhyjnë ndërkombëtarët. Për ta shkundur policinë e shtetit nga oktapodi kriminal. E kjo nuk bëhet dot me drejtues që nuk e kanë vullnetin për ta bërë, por për të vijuar statusquo-në, me njerëz të tjerë.
Duhet një ‘shock-terapi’ urgjente, që të bëjë një operacion kirurgjik në radhët e policisë, duke larguar menjëherë ata që janë në borderotë e krimit, ata që punojnë me gjoba, apo me mëditje.
Kjo bëhet vetëm duke ndryshuar menjëherë kokën e policisë, duke sjellë në krye njerëz që kanë vullnet për të ndryshuar situatën. Me dorë të hekurt. Ndryshe, policia do të infektohet e gjitha e do të kthehet në një krah i armatosur me kohë të plotë e mafias dhe narkotrafikantëve./Pamfleti
Burimi