Kërcënimet e Berishës dhe Metës, SHBA krah gjyqtarëve të Apelit të Posaçëm: Po godasin të paprekshmit!
Takimi Nancy VanHorn-Saida Dollani
E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn ka takuar kryetaren e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani, duke i dhënë mbështetje në luftën ndaj korrupsionit…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një tjetër goditje të fortë klasës politike në vend. Dekorimi i Altin Dumanit nga DASH tërboi Berishën, Metën dhe shumë të tjerë. Por duket se SHBA nuk mbështet vetëm SPAK, por edhe gjykatat, të cilat kanë qenë objekt sulmi dhe kërcënimesh kryesisht nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Sot e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn ka takuar kryetaren e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani, duke i dhënë mbështetje në luftën ndaj korrupsionit. Duhet theksuar se Dollani ka qenë objekt i kërcënimeve jo vetëm nga politika, por edhe nga krimi.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me kryetaren në detyrë të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjyqtaren Saida Dollani. Znj. VanHorn ndau mbështetjen e palëkundur për gjyqtaren Dollani dhe kolegët e saj, të cilët shfaqin guxim të pamasë dhe sakrificë personale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendimet e tyre janë jetike për t’i dhënë fund kulturës së mosndëshkimit në Shqipëri. Ambasada e SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet e drejtësisë së Shqipërisë në misionin e tyre për të ruajtur drejtësinë dhe integritetin”, njofton ambasada.
Ky takim vjen pas disa mesazheve që kanë ardhur javët e fundit nga amerikanët. Vetë sekretari Antony Blinken ishte ai që dekori Altin Dumanin dhe u shpreh prerë se SHBA do ta godasë korrupsionin me të gjitha mënyrat. Po ashtu vetë de dërguara e SHBA, pak ditë më parë dha një mesazh të fortë në këtë aspekt.
“Një gjë që më është bërë e qartë është se kur njerëzit mendojnë kundër korrupsionit, mendojnë SPAK-un. Kjo tregon ndikimin që SPAK-u ka pasur, ndaj kjo është një gjë e mirë. Por mendoj se zoti Dumani do të ishte personi i parë që do të thoshte se SPAK-u nuk vepron i vetëm. Çdo sukses që ata kanë në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve është për shkak të të gjithë të tjerëve në peizazhin e drejtësisë. Dhe më e rëndësishmja, sepse është pritshmëria që qytetarët shqiptarë kanë tani për qeveritarët e tyre. Pra, në mbyllje, dëshiroj të reflektoj për pjesën e fundit, rolin që ka çdo qytetar në këtë luftë. Sidomos të rinjtë, sepse lufta kundër korrupsionit është në të vërtetë lufta për të ndërtuar një të ardhme për Shqipërinë, ku e shihni veten të qëndroni në këtë vend dhe të zhvilloheni këtu”, tha Nancy VanHorn pak ditë më parë gjatë nisjes së projektit “Integrity Chronicles”, me mbështetjen e DASH.
SPAK dhe GJKKO janë vënë në shënjestër nga të gjitha palët, si majtas dhe djathtas. Deri tani amerikanët e kanë mbrojtur me shumë forcë. Por ka shumë dilema me ardhjen e Trump në pushtet se si do të marrin rrjedhë gjërat. Ka nga ata që thonë se mund të kemi një ulje të ritmit, por shumë të tjerë thonë se ishte Donald Trump ai që hodhi miliona në mandatin e parë që të ngrihej SPAK. Ishte ai që shpalli “Non Grata” Adriatik Llallën, duke e bërë shembull në të gjithë botën. Ishte po ai që solli Yuri Kim si ambasadore. /Pamfleti