“Ja e vërteta e bojkotit nga SPAK”, Xhafaj sfidon SHBA-BE: Komisioni do vijojë punën edhe pa opozitën
Pavarësisht se ndërkombëtarët kanë kërkuar konsensus në komisionin antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, mazhoranca duket e bindur për të shkuar para edhe e vetme.
Sot u shfaq në media Fatmir Xhafaj, i cili tentoi të tregojë qëllimet e komisionit dhe sipas tij, nuk synohet të zhbëhet reforma. Megjithatë ai paralajmëroi se ata do vijojnë vetëm nëse PD nuk afrohet.
“Është një shqetësim i yni. Opozita është faktor i rëndësishëm në këtë proces. Por opozita bën zgjedhjet e saj. Ajo ka vendin e vet, zgjedh opozita se çfarë do të bëjë me rolin dhe vendin e saj. Në këtë rast, si edhe në disa raste të tjera, opozita ka zgjedhur formën e gabuar, pra bojkotin. Por kjo nuk do të thotë se Kuvendi nuk duhet të vazhdojë”, tha Xhafaj në “A2 CNN.
Lidhur me zërat se SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme refuzuan të dërgojnë ekspertë, Fatmir Xhafaj tha se socialistët nuk kanë kërkuar mbështetje nga drejtësia për këtë komision. “Nuk kemi pse t’i kërkojmë mbështetje publike Prokurorisë së Posaçme, Prokurorisë së Përgjithshme. Ky është një keqinterpretim. Ne nuk u kemi kërkuar të përfshihen te grupet e ekspertëve. Natyrisht nuk do të kishte asgjë të keqe që ne t’i thërrisnim dhe të na tregonin edhe ata problematikat, siç bëjnë në raportet që përpilojnë çdo vit”, tha ai.
“Vetë institucionet e drejtësisë kanë propozuar 200 nene që ata mendojnë se duhet të ndryshojnë. Prandaj duhet një diskutim me vetë njerëzit e drejtësisë, me të gjithë profesionistët dhe më pas në Kuvend”, shtoi Xhafaj.