“I kërkova me kohë të ikte me dinjitet”, Basha akuza Berishës: Ka marrë peng PD-në dhe po i shërben Ramës!
Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur sulmeve dhe akuzave të fundit të Sali Berishës, duke thënë se gjendja në të cilën ka përfunduar ish-kryeministri ishte e trishtë.
Prej dhjetorit të vitit të kaluar në “arrest shtëpie” dhe para pak ditësh zyrtarisht i pandehur nga SPAK për çështjen “Partizani”, situata për ish-kryeministrin nuk duket aspak mirë, por ish-krahu i tij i djathtë, Basha deklaroi se e kishte paralajmëruar me kohë dhe i kishte kërkuar që të largohej nga politika me dinjitet.
Por sipas Bashës, Berisha nuk pranoi dhe vendosi që të marrë peng PD-ën për hallet dhe interesat e tij personale. Më tej Basha e akuzoi Berishën se është bërë bashkë me Edi Ramën dhe se po i shërben pushteti të tij.
“Trishtim që pas tre vitesh mashtrime e dështime të vazhdosh të dëgjosh përçartjet e Sali Berishës. Ajo që i kam kërkuar tre vite më parë është të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp.
Ai qartazi ka zgjedhur këtë të dytën. Por mua nuk më shqetëson më halli personal i Sali Berishës, por fakti se për hallin e tij ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës.
Siç e kam thënë tre vite më parë, koha është ilaçi më i mirë dhe mbart të vërtetën më të madhe.
Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të amnistuar të korruptuarit e Edi Ramës ndërkohë që mban në ndjekje penale protestuesit demokratë, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të mbyllur listat, duke i dhënë më shumë pushtet Edi Ramës.
Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë”, shkruan Basha në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”.
Burimi