Hamilton rikthehet te suksesi pas 2 sezonesh, kalon finishin i përlotur dhe thyen rekordin e Shumakerit

Hamilton rikthehet te suksesi pas 2 sezonesh, kalon finishin i përlotur dhe thyen rekordin e Shumakerit

Luis Hemilton mund të cilësohet që tani një prej legjendave të garave të Formula 1, edhe pse për t’u larguar nga pistat do të duhet të priten edhe disa vite të tjera. Piloti britanik ka fituar sot Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe në Silverston, duke u kthyer pas dy vitesh te sukseset dhe duke vendosur rekorde të reja.
Kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme e pilotit të Mercedes, i cili i nisur nga vendi i dytë, ia doli t’i mbijetonte një gare të çuditshme në pistën e shtëpisë për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme dhe shiut që solli jo pak kaos.
Ai përfitoi në ndërrimin e dytë të gomave për të kaluar Lando Norris që kishte përpara, ndërsa tërheqja e Xhorxh Rasëll për probleme mekanike, i dhuroi vendin e parë. Kështu, ai fitoi për herë të 9 në karrierë këtë garë, duke lënë pas Majkëll Shumaker si piloti me të cilin ndante rekordin për më shumë fitore në të njëjtën pistë.
Ndaj nuk ishte rastësi që Hemilton kaloi finishin i përlotur, ashtu siç u shfaq edhe kur u ul nga makina për të përshëndetur mekanikët. Ky ishte suksesi i 104 në karrierë për britanikun, i cili vazhdon të jetë ndjeshëm i shkëputur nga të gjithë ndjekësit e tjerë në këtë statistikë.
Pas krahëve të tij u rendit Maks Vershtapen, i cili ia doli të ngjiste pak nga pak pozicionet dhe në fund të kalonte pikërisht Norris, duke zbritur këtë të fundit në vendin e tretë në podium. Pas tyre u renditën me radhë Piastri, Sainz, Hulkenberg, Stroll, Alonso, Albon dhe Tsunoda të cilët plotësuan zonën e pikëve.
luis hamilton piloti britanik formula 1
Burimi