Flamujt ulen në gjysmë shtizë, Shqipëria dy ditë në zi kombëtare për ndarjen nga jeta të Kadaresë!

Flamujt ulen në gjysmë shtizë, Shqipëria dy ditë në zi kombëtare për ndarjen nga jeta të Kadaresë!

Flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në nderim të veprës dhe kontributit të shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare.

Qeveria shqiptare ka shpallur të martë dhe të mërkurë, ditë zie kombëtare në nderim në shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.
Flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në nderim të veprës dhe kontributit të shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare.
Gjithashtu njoftohet se homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30.
Në orën 13:00, datë 3.7.2024, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.
Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ismail Kadare ishte emri më i madh i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.
Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare. Ismail Kadare është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë. Shkrimtari më i madh i yni dhe prozatori kolos i letrave shqipe e filloi karrierën së pari si poet e më pas si dramaturg e autor.
Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

2 2e4f44583f

3 2a0aa66e71

1 ab74b4c251
Burimi