Ekzekutimi i “Dodës”, ish-agjentit të antidrogës/ Si u zbuluan autorët, cila është prova që gozhdon Donald Hoxhën
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, trajtoi sot dosjen e vrasjes së ish-agjentit të antidrogës në Policinë e Elbasanit, Roland Rexhepi, i njohur ndryshe si “Doda”.
Autorët e dyshuar të vrasjes janë zbuluar plot 15 vite pas ngjarjes së rëndë, ndërsa “Doda” u ekzekutua pranë banesës së tij me breshëri armësh. Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, zbulimi i shtetasit Gëzim Balla, sot në kërkim nga policia, si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes në vitin 2009 të oficerit të policisë, Roland Rexhepi, u bë pas një tjetër gjetje të rëndësishme. Atë të disa gjurmëve të mbetura në furgonin e përdorur në krim, të cilat deri në vitin 2023, kishin mbetur të paidentifikuara se kujt i përkisnin.
Ndoshta kishin menduar se çdo gjë ishte harruar. Se koha kishte bërë të vetën dhe askush nuk do ti kthehej më të shkuarës së tyre.
Por mesa duket kishin harruar që llogaritë në këtë jetë bëhen me drejtësinë.
Dhe drejtësia vonon por nuk harron, edhe kur ajo është tokësore, dhe jo thjesht një apostulat hyjnor.
Pavarësisht se pas janë 15 vite distancë.
Por shpesh kur ti mendon se një gur varri ka blerë heshtjen e përjetshme, ajo që është nëntoka shpesh kthehet në pasigurinë tënde. Pikërisht atëherë kur ti tashmë mendon se ke pastruar ndërgjegjen dhe mund të shëtisësh i lirë sepse asgjë në mendimet e tua nuk mund ta kthejë kohën pas.
Por mesa duket ja që nuk është gjithmonë kështu.
Dhe gjithmonë ka një faj në jetë që të përndjek kudo që të shkosh dhe që duhet ta shlyesh.
Ky duket se është edhe rasti i ish-oficerit të antidrogës në Elbasan, Roland Rexhepi, i ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të datës 22 Korrik 2009, me të dalë nga garazhi i tij, ku kishte shkuar të merrte makinën, në lagjen ‘Vullnetari’ në Elbasan.
Një vrasje që tronditi atë kohë qytetin në kërthizë të Shqipërisë, i cili edhe pa këtë ekzekutim ishte mjaftueshëm i drobitur nga përplasjet e grupeve kriminale, që ndërkohë kishin prodhuar viktima të shumta.
Ku në qendër të të gjithë këtij lumi gjaku të pambarimtë ishte gjithmonë lufta për territor, në një nga zonat më influente të magazinimit dhe kalimit të lëndëve të forta narkotike.
Por kur mendohej se vrasja e ‘Dodës’, siç njihej Roland Rexhepi, në përditshmërinë e tij në Elbasan, ishte mbyllur pa shkuar te porositësit e vërtetë të këtij krimi dhe kishte mbetur vetëm te disa autorë të cilët tanimë kanë marrë dënimet përkatëse nga drejtësia, një zhvillim i ri, apo një gjurmë daktiloskopike e gjetur në furgonin që u përdor për vrasjen e tij, duket se shpluhurosi edhe njëherë dosjen për ekzekutimin e ish-shefit të sektorit të antidrogës në Policinë e Elbasanit.
Një gjurmë që përbën edhe një pikë kthese të rëndësishme për rihapjen e hetimeve, dhe çuarjen drejt bangës së akuzës jo thjesht të bashkëpunëtorëve në krim, por edhe të atyre që financuan vrasjen, por edhe motiveve të vërteta përse u eleminua ish-oficeri i antidrogës.
Por çfarë ishte kjo gjurmë e cila sot ka shpallur në kërkim një nga autorët e mundshëm të vrasjes, i cili menjëherë pasi mësoi që ishte zbuluar u largua nga Shqipëria, bashkë me familjen e tij?
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, zbulimi i shtetasit Gëzim Balla, sot në kërkim nga policia, si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes në vitin 2009 të oficerit të policisë, Roland Rexhepi, u bë pas një tjetër gjetje të rëndësishme.
Atë të disa gjurmëve të mbetura në furgonin e përdorur në krim, të cilat deri në vitin 2023, kishin mbetur të paidentifikuara se kujt i përkisnin.
Por që Sektori i Daktiloskopisë pranë Institutit të Policisë Shkencore, mundi të vërtetojë se disa prej këtyre gjurmëve i përkisnin shtetasit Donald Hoxha.
I cili në vitin 2009 ishte vetëm 19 vjeç dhe që prej vitesh jetonte jashtë Shqipërisë.
Dosja Hetimore
Më datë 22 Dhjetor 2023, Sektori i Daktiloskopisë pranë Institutit të Policisë Shkencore, ka informuar se nga ekzaminimet me sistemin AFIS/APIS, është bërë i mundur identifikimi i gjurmëve papilare të administruara në vendin e ngjarjes të vrasjes së shtetasit Roland Rexhepi, ndodhur më datë 22 Korrik 2009 në Elbasan.
Konkretisht nga katër gjurmët papilare të shënuara me shkronja A, B, C, G të fiksuara në vendin e ngjarjes nga kqyrja e furgonit tip Renault pa targa që ka lidhje me vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi, dy gjurmët e gishtave të ndodhura tek fotografia e shënuar me shkronjën ‘B’. janë formuar nga gishti tregues dhe i mesit i dorës së djathtë të shtetasit Donald Luan Hoxha. i vitlindjes 1990.
Do të ishte ky zbulim momenti i duhur që Prokuroria e Elbasanit të rihapte edhe njëherë dosjen e ngrirë prej vitesh të vrasjes së efektivit Roland Rexhepi.
Si edhe firmosjen e urdhërit të ndalimit për Donald Hoxhën, si person që ka dijeni apo është pjesëmarrës direkt apo indirekt në ekzekutimn e ish-shefit të narkotikëve në qytet.
Hoxha, sot në moshën 34 vjeçare, që gjatë kontrollit në banesën e tij, me qëllim ndalimin në fillim të vitit 2024, rezultoi se nuk ndodhej në Shqipëri, kjo edhe pas konfirmimit të familjarëve të tij.
Por që u ndalua në territorin britanik me qëllim ekstradimin e tij, riatdhesim për llogari të drejtësisë shqiptare që u bë i mundur disa muaj më pas.
Dosja Hetimore
Pas relacionit të depozituar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, më datë 3 Janar 2024, prokurorët e çështjes vendosën rifillimin e hetimeve për vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi.
Dhe disa ditë më pas lëshuan urdhërin e menjëhershëm të ndalimit për shtetasin Donald Hoxha, i dyshuar për krimet ‘Vrasje me paramendim’ në bashkëpunim si dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve luftarake’
Ku me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ndaj këtij personi është caktuar masa e sigurimit personal ‘Arrest në burg’./BWekzekutimi i “dodës” autore prova donald hoxha
Burimi