Debati me gazetaren Lala për sekuestrimin, Anila Basha nuk kupton ironinë e avokatit Beçi për shkak të urrejtjes për Aldor Ninin
Për kufirin e veprimit të një vendimi kontrolli nuk kishte dakordësi mes gazetares investigative Klodiana Lala dhe avokatit Eugen Beçi.
Mbrëmjen e së hënës, në studion e “Opinion” të Blendi Fevziut, u diskutua lidhur me kontrollet që hetuesit e BKH kryen në 6 dhjetor 2024, në biznesin e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa si dhe në banesën e të vëllait Arbër Veliaj.
Vendimi i firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Atalanta Zeqiraj, nuk parashikonte as hyrjen në banesë të Erion Veliajt, as kontroll banese dhe as sekustrim të telefonit të Ajola Xoxës. Vendimi parashikonte kontrolle në galerinë e zonjës Xoxa, kontrollin e saj personal dhe kontroll në banesën e Arbër Velajt, i cili jeton në Vjenë.
Për kufirin e veprimit të një vendimi kontrolli nuk kishte dakordësi mes gazetares investigative Klodiana Lala dhe avokatit Eugen Beçi.
Avokati Beçi tha se nuk lejohet që oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të sekuestrojnë materiale e dokumenta, të cilat nuk janë të përpiluara në vendimin e gjykatës. Gazetarja Lala tha se nëse oficeri konstaton në banesë, apo ambient zyre një provë, e cila mund të shërbejë për hetimin, atëherë ligji i ka dhënë të drejtën që ta sekuestrojë.
Gjatë debatit, për t’i dhënë fund këtij episodi, avokati Beçi tha me ironi; “Zoti Fevziu, ka të drejtë zonja Lala! E pranova sfidën dhe po e shpjegoj. Në bazë të nenit 207 të Kodit të Procedurës Penale thuhet: “Sekuestrimi gjatë kontrollit të banesës bëhet me kusht që të jetë përcaktuar në vendim për lejimin e kontrollit në çdo send”. Pika e dytë: “Sendet e tjera të gjetura gjatë kontrollit që nuk përfshihen në vendimin përkatës, por që lidhen me të njëjtën vepër penale mund të sekuestrohen“.
Nëse lexojmë nenin 207 të Kodit të Procedurës Penale, duket se që të dy, si avokati Beçi ashtu edhe gazetarja Lala kanë të drejtë. Pika e parë e këtij neni parashikon sendet e gjetura gjatë kontrollit sekustrohen, por me kusht që të jenë të përcaktuara në vendimin e gjykatës, siç edhe pohoi me korrektësi avokati Beçi.
Nga ana tjetër, pikat dy dhe tre të këtij neni parashikojnë që sekustrohen edhe sende të tjera, të cilat nuk janë përcaktuar në vendimin e gjykatës, por që lidhen me të njëjtën vepër penale apo me vepra të tjera penale, siç pohoi deri diku zonja Lala. (Zonja Lala tha sende që kanë lidhje me hetimin, ndërsa në ligj specifikohet sende që kanë lidhje me veprën penale. Hetimi nuk është vepër penale).
Pra, nëse oficerët e BKH do të gjenin armë, drogë apo shuma të mëdha parash, i sekustrojnë, pasi këto sende mund të lidhen me një vepër penale. Por, në rastin konkret, oficerët i kanë marrë telefonon zonjës Ajola Xoxa, send i cili nuk ishte parashikuar në vendimin e gjykatës. Dhe telefoni në vetvete nuk mund të lidhet me një vepër penale, pasi nuk është armë krimi dhe as nuk mund të vlerësohet nëse ka lidhje me veprën penale.
Çfarë ndodh? Duke deformuar të vërtetën, gazetarja Anila Basha, e paguar nga inceneratorët dhe nga disa institucione publike me kontrata që duhet të jenë objekt i SPAK-ut, publikon në portalin e saj periferik Newsbomb një shkrim me titull; ““Të sfidoj këtu për ligjin e korrupsionit”, Klodiana Lala vë me “shpatulla pas murit” avokatin e dhunuesit të grave, ish prokurori nuk di legjislacionin shqiptar: Po, paska të drejtë!“.
Mes të tjerave shkruan se; “Avokati i “akromakthit” dhe dhunuesit të grave, Aldor Ninit pranoi që ajo çfarë gazetarja tha ishte komfort me ligjin duke i treguar kështu publikut se si një ish-prokuror me karrierë të gjatë në drejtësi e paska ditur ligjin gabim, për më tepër ligjin procedurial që është pjesë e rëndësishme e punës së tij“.
Raportimi i deformuar dhe larg të vërtetës i gazetares Anila Basha reflekton makthin dhe urrejtjen e saj për drejtuesin Acromax, Aldor Ninin, i cili ka qenë në një lidhje me mbesën e Anila Bashës, Sara Basha, histori e cila kishte një fund dramatik dhe përfundoi dyerve të prokurorisë dhe gjykatave. Eugen Beçi është avokat i Aldor Ninit. Kjo është edhe arsyeja se pse Beçi është bërë objekt shpifjesh nga Anila Basha, një rast i paprecedentë në gazetari. Vetëm bandat kriminale sulmojnë dhe madje eliminojnë avokatët e rivalëve.
Pasi Aldor Nini dhe Sara Basha i dhanë fund raportit në mënyrë jo edhe aq paqësore, halla e Sara Bashës, Anila Basha, në korrik të vitit 2023, nisi një fushatë mediatike kundër Aldor Ninit, sidomos pasi kompania e Ninit, Acromax, ndërmori disa masa ligjore për shkeljen e të drejtave të autorit kundër portalit të Anila Bashës, Newsbomb, duke kërkuar mbylljen e llogarisë në Facebook.
Për hakmarrje, Anila nisi jo vetëm një fushatë mediatike me shpifje kundër Ninit, ku e quajti atë “dhunues femrash”, por përfshiu edhe mbesën e saj, Sara Basha, me të cilën Aldor Nini ishte frekuentuar deri në fund të vitit 2022.
Pasi doli një video që provonte se jo Nini, por mbesa e saj ishte dhunuese, dhe përveç kësaj, ajo ishte dhunuar gjithashtu nga familja e saj, mbesa u përdor nga Anila për të justifikuar akuzën e rëndë të përndjekjes kundër Ninit, ku si arsye për akuzën u përdor dalja e videos, e cila faktikisht demaskoi mbesën si dhunuese.
Në atë kohë, Nini kishte qenë për gjashtë muaj në një lidhje me një vajzë tjetër dhe nuk kishte asnjë interes të përndiqte mbesën, ndërkohë që po jetonte i lumtur me vajzën tjetër. Por OPGJ-ja e Komisariatit Nr. 4, Ervin Hysa, duke injoruar këto fakte, vendosi më datën 05.07.2023 të arrestojë Ninin pa prova dhe me iniciativën e policisë, pa marrë udhëzime nga Prokuroria.
Elona Alvora ishte prokurorja e parë që mori dosjen pas arrestimit dhe, pa e studiuar, i kërkoi gjykatës që Nini të mbahej në arrest deri në përfundimin e hetimeve.
Gjykata nuk pranoi kërkesën e prokurores, e liroi Ninin dhe vlerësoi arrestimin e tij si të paligjshëm. Gjithsesi, Nini u mbajt 72 orë në mënyrë të paligjshme në Komisariatin Nr. 3, duke i cenuar të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante.
Më pas dosja i kaloi prokurorit Bledar Maksuti, i cili refuzoi t’i kthente pashaportën gjermane Ninit për të udhëtuar lirshëm, duke injoruar faktet e shumta që tregonin se Nini nuk do të arratisej.
Sërish, gjykata u detyrua të ndërhynte dhe të urdhëronte kthimin e pashaportës së Ninit. I pakënaqur me vendimin, Maksuti urdhëroi kthimin e pashaportës, por nuk hoqi shënimin nga sistemi TIMS.
Si rezultat, Nini duhet të presë çdo herë që hyn ose del nga territori i Shqipërisë për konfirmimin telefonik të policit që e arrestoi në mënyrë të paligjshme. Maksuti ndërmori hetime të njëpasnjëshme për të provuar fajësinë e Ninit dhe ngriti akuzën kundër tij disa ditë para se të emërohej prokuror në SPAK.
Maksuti vetë u emërua me një proces të dyshimtë në SPAK, pasi vendin e tij e kishte fituar Prokurori Ndini Tavani, por një komision i posaçëm emëroi Maksutin.
Si përfundim, pas 3 seancash përgatitore, Gjykata e Tiranës i ktheu dosjen Prokurorisë, pasi hetimet, mbi të cilat ishte ngritur akuza kundër Ninit, ishin të cekta.
Dosja përmbante një ekspertizë psikologjike të “viktimës” nga e cila nuk rezultonte që të përmbusheshin pasojat e parashikuara për veprën penale të përndjekjes. Ndërkohë që prokuroria, në akuzën e saj, përmendte një gjendje të rënduar të viktimës, viktima bënte një jetë të shfrenuar dhe të lumtur, të cilën e reklamonte bujshëm në Instagram dhe TikTok për një periudhë prej më shumë se gjashtë muajsh nga momenti i ngjarjes.
Përveç këtij fakti flagrant, prokuroria vetë identifikoi që akuza për dhunë në familje ishte e pabazuar në fakte dhe kërkoi vetë pushimin e kësaj akuze, duke ngritur dyshime mbi viktimën për kallëzim të rremë.
Për të përshpejtuar çështjen në favor të familjes Basha, Prokuroria gjithashtu nuk kishte ndjekur procedurat e duhura për të kërkuar nga kompania META disa të dhëna elektronike përmes linjës ligjore me shtetet e huaja, por kishte kontaktuar kompaninë amerikane META pa përfshirë entitetet ligjore amerikane.
Një nga provat e paraqitura nga viktima në gjykatë rezultonte një numër telefoni Vodafone që mbaronte me 35, i cili sipas viktimës ishte përdorur për të hapur llogaritë me përmbajtjen e videos në Instagram. Jo vetëm që në përgjigjen e kompanisë META ishte shënuar që ai profil nuk kishte asnjë numër regjistrimi, por prokuroria kishte lënë mënjanë faktin që ai numër me 35 ishte regjistruar gjithashtu nga vetë familja e viktimës në dyqanin e tyre të Vodafone te Shkolla Baletit, pa asnjë dokument ligjor të Ninit por në emër të kompanisë së tij.
Në datën e arrestimit të Ninit, atij i ishte konfiskuar një telefon, por për të cilin Prokuroria nuk kishte kryer asnjë akt ekspertize. Nini i kishte ofruar policisë kodin e telefonit, por policia dhe prokuroria kishin refuzuar ta hapnin ose ta ekzaminonin – pasi ekspertiza e telefonit mund të kishte mbështetur pafajësinë e Ninit.
Gjatë hetimeve, Prokuroria kishte kërkuar nga operatorët telefonikë vendndodhjet e Ninit për data dhe orare të caktuara. Përgjigja e operatorëve nuk është përfshirë në dosjen e hetimeve, pasi ajo mund të kishte vërtetuar që Nini ka qenë larg vendngjarjeve në datat dhe orët e ngjarjeve.
Në vend që të kryhej një akt ekspertize teknike për provat e mbledhura, Prokuroria kishte nxjerrë konkluzionet e veta nga provat, pa i studiuar ato nga ana teknike, dhe kishte injoruar edhe fakte të thjeshta, siç ishte fakti që adresat IP të mbledhura ishin nga një periudhë shumë përpara ngjarjes.
Dosja tashmë menaxhohet nga prokurori Arbër Berexha, i cili duhet të rishikojë hetimet e kryera.
Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka kryer hetime të bujshme, por të cekta, kundër Ninit, ajo nuk ka kryer asnjë veprim hetimor kundër Anila Bashës dhe mbesës së saj për të njëjtën akuzë të përndjekjes, pavarësisht që Nini ka dorëzuar prova në Prokurori, nga të cilat rezulton se mbesa e saj e ndiqte Ninin dhe të dashurën e tij në aeroporte dhe avione, evente të Bashkisë, si dhe përmes mikut të saj Valmir Xhaferaj, i cili u ndalua nga policia në flagrancë në përpjekje për ta kërcënuar Ninin me makinë te ura e Tajvanit.
Arsyeja pse prokurori Robert Kote dhe OPGJ-ja e tij, Bashkim Malaj, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim hetimor për më shumë se një vit për akuzat e Ninit kundra Bashës, por Prokuroria është marrë vetëm me hetimet kundër Ninit, të cilat rezultuan shumë të cekta në rezultat, mbetet e pashpjegueshme deri më sot.
Në vijim të proceseve ligjore, Anila Basha është kallëzuat përpara gjykatës penale, për shpifje, në më shumë se 30 raste. Çështja në fjalë është ngritur nga Nini që në qershor të vitit 2023 dhe ende nuk ka përfunduar, pasi Anila nuk është paraqitur në asnjë nga seancat si e akuzuar, ndërkohë që mbesën e saj e shoqëronte në seancat e saj në të njëjtën gjykatë./Prapaskena
Burimi