Censi 2023/ Demografi ngre alarmin: Kemi më shumë pleq se sa fëmijë, emigracioni po plak popullsinë

Censi 2023/ Demografi ngre alarmin: Kemi më shumë pleq se sa fëmijë, emigracioni po plak popullsinë

Arjan Gjonçaj, Profesor i Demografisë në London School of Economics komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV të dhënat e Censusit 2023, që u publikua pak ditë më parë.
Gjonçaj u shpreh se popullsia te ne vazhdon të bjerë dhe kryesorja tek kjo qëndron emigracioni, ndërsa shtesa natyrore është ulur dhe lindjet kanë rënë aq shumë dhe po i afrohet vdekjeve dhe këtu del dhe problemi i plakjes, që ne kemi një moshë mesatare të popullsisë 42 vjeç.
“Po kemi një risi kësaj rradhe, që shtesa natyrore po i afrohet shumë. Lindjet kanë rënë aq shumë në mënyrë absolute dhe po i afrohet vdekjeve në fjalë, bile madje në vitet e Covid-19 ndryshoi, domethënë që më shumë vdekje sesa lindje. Pra, ke të dy fenomenet, kjo ka krijuar disa probleme që janë shumë të mëdha, problemi i plakjes, ne kemi një moshë mesatare të popullsisë 42 vjeç.
Ne që kemi qenë konservatorë në parashikimet e plakjes së popullsisë, thoshim që popullsia mbi 65 vjeç do të ishte diku në 17-18% dhe kjo ka dalë me shumë, ka dalë 20 për qind. Pse është e rëndësishme kjo? Kjo është e rëndësishme sepse shoqëria, popullsia jonë po plaket me ritme më të larta dhe po plaket si rezultat i emigracionit. Pra kemi më shumë pleq se sa fëmijë dhe ajo që është e rëndësishme është raporti. Vetëm këtu po të ndalesh të marrësh të gërmosh nga ana politike-ekonomike-sociale, ti kupton se popullsitë e plakura vijnë me zhvillimin e ekonomisë, domethënë në botën perëndimore një popullsi plaket se ka patur shumë të shpejtë rënien e lindshmërisë. 
Për një gjë ramë dakord. Shpopullimi ka ardhur si rezultat i emigracionit. Midis të gjithë demografëve, është rënë dakord që të gjithë modelet kanë dështuar, nga modeli skandinav, modeli gjerman, etj. Pra nuk duhet të fokusohemi shumë te politikat e lindjes, por tek emigracioni.
Ka ndalimin dhe kthimin. Ndalimi do të jetë shumë problem për 5 vitet e ardhshme. Nuk ka shumë për t’u larguar. Qeveria duhet të fokusohet te politikat e zhvillimit, politikat e punësimit, mbështetja afatgjatë, jo afatshkurtër.
Ku duhet të fokusohemi? A jemi në gjendje që një pjesë e këtyre persona t’i stimulojmë dhe të vijnë këtu? Dhe nuk flas vetëm për shqiptarë. Nëse vjen një italian, shumë mirë, sepse do të mësojë edhe gjuhë.
Po të isha ministër do të kërkoja marrëveshje me Gjermaninë. Keni nevojë për mjekët tani? Do t’i lejosh të punosh tre vite te unë dhe pastaj të jenë me kontratë të përkohshme”, tha Gjonçaj.
Burimi