22-vjeçari përplasi për vdekje avokatin në Durrës dhe u arratis, kolegët e viktimës hedhin dyshime për vrasje të qëllimshme

22-vjeçari përplasi për vdekje avokatin në Durrës dhe u arratis, kolegët e viktimës hedhin dyshime për vrasje të qëllimshme

Viktima-Leonard Dingo

Policia e Durrësit ka identifikuar autorin e një aksidenti të ndodhur të mërkurën në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë”, ku mbeti i vdekur Leonard Dingo, avokat.
Sipas policisë, 63-vjeçari është përplasur për vdekje nga 22-vjeçari Erjon Kacani. Pas aksidentit, i riu është larguar nga vendi i ngjarjes dhe e ka braktisur automjetin në fshatin Kodër Arapaj.
Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, por autori i aksidentit nuk është kapur ende.
Kolegët e avokatit, në një postim në rrjetet sociale thonë se avokati Dingo kishte çështje të rëndësishme, ndaj nuk e përjashtojnë mundësinë që ngjarja të mos ketë qenë aksidentale.
“Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit, Durrës ka ndodhur një aksident me tipare të një krimi, që ende nuk është zbardhur. Avokati i mirënjohur Leonard Dingo ka ndërruar jetë si rezultat i një aksidenti që ka ndodhur pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 Gusht. Duke ditur çështjet sensitive që mbronte avokat Dingo dyshimet e arsyeshme të drejtojnë përtej një aksidenti të zakonshëm. Sipas burimeve konfidenciale deri tani është gjetur makina që ka bërë aksidentin e braktisur në zonën e Shëna Vlashit, është identifikuar targa dhe rrjedhimisht edhe pronar i makinës, por ajo që do t’i jepte rrugë zbardhjes së aksidentit ende është enigmë. Është kryer një krim dhe asnjë i dyshuar apo i ndaluar!”, shkruan Avokatët Penalistë.
Zyrtarisht, burime nga policia e Durrësit thonë se nuk ka indicie që aksidenti të ketë qenë i qëllimshme.
 
Burimi