Zëri i Amerikës, Kremlini: Një pauzë 30 ditore në luftime, do të ndihmonte ushtrinë ukrainase

Zëri i Amerikës, Kremlini: Një pauzë 30 ditore në luftime, do të ndihmonte ushtrinë ukrainase

Këshilltari kryesor i presidentit rus Vladimir Putin për politikën e jashtme, Yuri Ushakov tha të enjten se i ka thënë Uashingtonit se një armëpushim 30-ditor i propozuar nga Shtetet e Bashkuara për të ndalur luftën në Ukrainë thjesht do t’u jepte kohë forcave të Kievit.
“Një armëpushim i përkohshëm 30-ditor: Çfarë na jep kjo neve? Nuk na jep asgjë. Një gjë e tillë vetëm u jep ukrainasve një mundësi për t’u rigrupuar, për t’u përforcuar dhe për të vazhduar të njëjtën gjë”,-tha zoti Ushakov për mediat ruse. Përparimet e Rusisë në vijën e frontit në muajt e fundit dhe përpjekja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të arritur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar në Ukrainë, kanë shkaktuar frikë se Kievi mund ta humbasë luftën.

I dërguari i posaçëm Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff mbërriti në Moskë të enjten për t’u takuar me Presidentin Putin. Zyrtarët rusë thanë se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, kishte dërguar detaje mbi idenë e armëpushimit të mërkurën dhe se Rusia ishte e gatshme për ta diskutuar këtë çështje. Presidenti Trump tha në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën se shpresonte që Kremlini të binte dakord me propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor që Ukraina tha se do ta mbështeste.
Zoti Ushakov, një ish-ambasador në Uashington, i cili flet në emër të presidentit rus për çështjet kryesore të politikës së jashtme, i tha televizionit shtetëror se kishte folur me zotin Waltz të mërkurën për t’i përcjellë qëndrimin e Rusisë për armëpushimin. “Deklarova qëndrimin tonë se ky nuk do të ishte gjë tjetër veçse një lehtësim i përkohshëm për ushtrinë ukrainase, asgjë më shumë”, tha ai.
“Synimi ynë është një zgjidhje paqësore afatgjatë që merr parasysh interesat legjitime të vendit tonë dhe shqetësimet tona të njohura. Më duket se askush nuk ka nevojë për ndonjë hap që (thjesht) duket si veprim paqësor në këtë situatë,” tha zoti Ushakovi. Këshilltari rus tha se Presidenti Putin do të flasë me media më vonë të enjten dhe do të ta paraqesë më në hollësi pozicionin e Rusisë. /VOA/
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente