
Vinçenc Prennushi, poeti penhollë, zëri i buçimshëm i shpirtit krijues, martiri i kishës katolike shqiptare
Albert Vataj
Në kalendarin historik të Kishës Katolike Shqiptare, 19 marsi shënon përvjetorin e kalimit në amshim të Vinçenc Prennushi, ipeshkëvit martir të Durrësit. Ky personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës shqiptare, me jetën dhe veprën e tij, mbetet një shëmbëlltyrë e fesë së palëkundur, e përkushtimit intelektual dhe e sakrificës sublime për Krishtin dhe kombin.Prennushi u lind në Shkodër më 4 shtator 1885 dhe u pagëzua me emrin Kolë. Qysh në moshë të re ndjeu thirrjen hyjnore për jetën rregulltare, duke iu bashkuar Urdhrit Françeskan më 1900. Studimet teologjike i përfundoi në Tirol të Austrisë, ku u shugurua meshtar dhe mori emrin Vinçenc.Veprimtaria e tij e pasur si klerik, poet, shkrimtar dhe studiues filloi herët. Ai u shqua jo vetëm për angazhimin dhe përkushtimin e tij baritor, por edhe për dashurinë ndaj letërsisë dhe shkrimit, duke botuar 42 vepra dhe më shumë se 130 shkrime poetike, krahas përmbledhjes Foglie e fiori, të cilën e shihte si një instrument të çmuar rritjeje për kombin dhe kishën.Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. U bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre “Ora e Maleve”, ku ishte ndër penat e rëndësishme.Që nga viti 1909 nisi të botojë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe kulturore. Ndër veprat e tij më të njohura janë:“Kangë popullore gegnishte” (1911), një përmbledhje e pasurisë së folklorit shqiptar;“Fjala e Zotit” (1918), një fletëpalosje liturgjike;“Java e Madhe”, një libër fetar mbi ngjarjet e Pashkëve;Dramat “E trathuemja” dhe “Prej robnie në liri”;Studimi “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922);Kryevepra poetike “Gjeth e Lule” (1924), një kurorëzë e talentit të tij si poet;Biografitë agjiografike “Shën Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1913);Përkthimet e rëndësishme të kryeveprave evropiane, si “Quo Vadis” e Henryk Sienkiewicz, “Burgjet e mia” e Silvio Pellico dhe “Dreizehnlinden” e Friedrich Wilhelm Weber.Poezia e Prennushit karakterizohet nga një përzierje e harmonishme mes ëmbëlsisë dhe trishtimit, një tingëllim i thellë shpirtëror dhe një reflektim mbi fatin e njeriut dhe të kombit. Ai e vështroi botën materiale si një sprovë për njeriun, i cili shpesh bie pre e lakmive vetjake dhe mungesës së vetëpërmbajtjes.At Justin Rrota e përshkruan me këto fjalë: “Në atë mënyrë që At Fishta mund të quhet poeti i Gegërisë, sepse arriti të nxjerrë nga populli malësor dhe fusharak bukuritë më të ndritshme të të shprehurit, po kështu Prennushi mund të mbahet si poeti i qytetit të tij, sepse gjithçka gjeti të hijshme në frazeologjinë dhe fjalorin e këtij dialekti e mblodhi me shije të hollë në shkrimet e tij.”Më 1924 botoi broshurën me 16 fletë Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë, ku ka shfaqur mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Më 19 Mars 1936, Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 Maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famulltar i Shkodrës, Imz. Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.Në vitin 1945 Enver Hoxha i kërkoi takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe Imzot Gaspër Thaçi. Sipas një artikulli të Arshi Pipës me të cilin qe bashkëvuajtës në Burgun e Durrësit deri në verën e 1948, u “konsultua” me klerikët për problemet e Kishës Katolike në Shqipëri. Qëllimi i vetëm i takimit ishte që të impononte këndvështrimin e tij për fenë dhe Vatikanin.Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbërë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”.Prennushi deklaroi se lufta e tij ishte kundër komunistëve e Partisë Komuniste që të mos ekzistonin, kur të formohej pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve. Aty, mes torturave dhe kushteve çnjerëzore, ai e dha shpirtin më 19 mars 1949, duke qëndruar i patundur në besimin e tij. Thuhet se fjalët e tij të fundit ishin një lutje për “më shumë dritë”, duke e mbyllur jetën e tij si një flijim për lirinë shpirtërore dhe për të vërtetën.Në vitin 1947, Vinçenc Prennushi u arrestua nga regjimi komunist në Tiranë dhe u burgos në Durrës.Arshi Pipa, i cili ishte i pranishëm në momentet e fundit të tij, shkruan: “Është vështirë të pranosh se gjithçka përfundon me trupin, kur sheh se si njerëzit vdesin për ideale.”Më 5 nëntor 2016, pas një procesi të gjatë kanonik, Vinçenc Prennushi dhe 37 martirë të tjerë të Kishës Katolike Shqiptare u lumturuan nga Papa Françesku në një ceremoni solemne në Shkodër. Ata u njohën nga Kisha Universale si ndërmjetësues pranë Hyjit dhe si shembuj të udhës ungjillore për gjithë besimtarët e krishterë.I Lumi Vinçenc Prennushi dhe martirët e tjerë të Kishës Katolike Shqiptare janë një testament i heroizmit të fesë së krishterë në kohë të errëta. Ata qëndruan të palëkundur përballë dhunës dhe persekutimit, duke dëshmuar me jetën e tyre Ungjillin e paqes dhe të pajtimit vëllazëror. Shembulli dhe ndërmjetësimi i tyre mbeten një thirrje për të gjithë ne, që të angazhohemi për ndërtimin e një qytetërimi të dashurisë, ku e vërteta dhe liria triumfojnë mbi errësirën e dhunës dhe frikës.Në vitin 1993, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në kujtim, e dekoroi me titullin “Dëshmor i Demokracisë” dhe aktualisht është më i rëndësishmi nga tridhjetë e tetë dëshmorët shqiptarë të lumturuar në vitin 2016.
Burimi