Vengu: Zero precedentë traktatesh në dëm të fqinjëve, e kotë çdo narrativë viktimizuese nga Serbia

Vengu: Zero precedentë traktatesh në dëm të fqinjëve, e kotë çdo narrativë viktimizuese nga Serbia

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e konsideroi sot marrëveshjen për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë si një bashkëpunim të natyrshëm mes tre shtetesh sovrane. Në një reagim në rrjetet sociale, Vengu nënvizoi se “si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë”.
“Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë”, theksoi ai. Ndërkohë, Vengu u shpreh se “Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe”.

“Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe”, theksoi Vengu. Ministri i Mbrojtjes deklaroi po ashtu se “në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedentë marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera”.
“Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripalëshe”, shtoi ai.
Burimi