UEFA: Futbollisti Mirlind Daku pezullohet për dy ndeshje për thirrjet fyese ndaj Serbisë
Sulmuesi i ekipit të Shqipërisë Mirlind Daku u pezullua të dielën për dy ndeshje për shkak se nxiti tifozët e skuadrës së tij të futbollit të lëshonin thirrje fyese për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në kampionatin evropian të futbollit, Euro 2024, që UEFA tha se shkelnin rregullat bazë të sjelljes së sportistëve.
Lojtari Daku kërkoi ndjesë për thirrjet që përmbanin slogane kundër dy vendeve pas barazimit të Shqipërisë 2:2 me Kroacinë, të mërkurën, në Hamburg.
UEFA, organi drejtues i futbollit për Evropën tha përmes një deklarate se mori masën ndaj futbollistit Daku pasi ai “shkeli rregullat thelbësore të sjellje së denjë, përdori ngjarjet sportive për manifestime të natyrës jo sportive dhe dëmtoi reputacionin e futbollit”.
UEFA shtoi se po vazhdon hetimin mbi sjelljen e mundshme raciste dhe/ose diskriminuese nga tifozët gjatë ndeshjes.
Shqipëria është e treta në grupin B me vetëm një pikë dhe ka ende mundësi të kualifikohet për fazën eliminatore nëse të hënë në Duseldorf mund Spanjën, e cila kryeson grupin me 6 pikë.
Serbia paralajamëroi se do të tërhiqej nga kampionati pas thirrjeve nga tifozët e Shqipërisë dhe Kroacisë, për të cilat UEFA vazhdon hetimin./VOA/
Burimi