
U përplas nga një makinë, vdes pas një jave në spital shqiptarja në Itali
Një shqiptare ka ndërruar jetë në spital në Itali, pas një jave në gjendje kome, pasi u përplas nga një automjet në komunën e Follina-s, një provincë e Trevisos në Itali.
Mediat përtej Adriatikut raportojnë se viktima është 50-vjeçarja Amelia Drini. Aksidenti u regjistruar më 13 Mars, ku shqiptarja ishte duke kaluar në vijat e bardha në via Sofia Da Camino, pak metra larg banesës së saj në momentin kur u përplas nga një automjet tip “Fiat” që drejtohej nga një 58-vjeçar nga Cison di Valmarino.
Përplasja ishte aq e fortë sa shqiptarja është hedhur disa metra tutje, ndërsa automjetit iu thye xhami. Shkak i tragjedisë dyshohet se ka qenë dukshmëria e dobët, edhe për shkak të shiut të rrëmbyeshëm atë mbrëmje, i cili nuk e lejoi shoferin të shmangte përplasjen me 50-vjeçaren.
Gjendja shëndetësore e shqiptares u shfaq e ndërlikuar që në fillim, u shtrua në reanimacion, në terapi intensive, por pa asnjë shenjë që mund të rindezte shpresën. Veç plagëve në trup, ajo kishte marrë dhe një goditje në kokë dhe nuk ka arritur dot të mbijetojë, duke ndërruar jetë ditën e djeshme (20 Mars) në spital.
Shoferi ka rezultuar negativ për alkool dhe do të hetohet zyrtarisht për vrasje në rrugë në ditët në vijim.
Administrata Bashkiake i ka shprehur ngushëllime të përzemërta familjes së Amela Drinit.
“Administrata Bashkiake dëshiron t’i shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të përzemërta familjes së Amela Drinit, duke u bashkuar me emocion të sinqertë në dhimbjen që ka goditur të dashurit e saj. Në këtë moment trishtimi të madh, jemi pranë familjes dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin atë, duke ndarë peshën e kësaj humbjeje të dhimbshme.”
Burimi