
Tragjedia në Maqedoninë e Veriut/ Ndërron jetë futbollisti i Shkupit, Duka mesazh ngushëllimi
Sporti E Diel, 16 Mars 2025 15:29
Mes dhjetëra viktimave në tragjedinë e Koçanit në Maqedoninë e Veriut, është edhe futbollisti i Shkupit, Andrej Lazarov. Lajmin e hidhur e dha vetë klubi shqiptar, në një deklaratë zyrtare, ku shkruan se lojtari ndërroi jetë duke u përpjekur të ndihmojë të tjerët nga lokali i natës, që ishte përfshirë nga flakët.
“Edhe pse paraprakisht nga familjarët e tij kishim informacione se është mirë, me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, njoftojmë se futbollisti ynë, Andrej Lazarov, është konfirmuar mes viktimave të zjarrit tragjik që ndodhi gjatë natës në Koçan.
Si një shpirt hero që ishte, Lazarov humbi jetën duke u përpjekur të ndihmojë të tjerët të shpëtojnë nga ambienti i kapluar nga zjarri. Ai u helmua nga tymi gjatë përpjekjeve të tij për të shpëtuar jetë, duke treguar guxim dhe humanizëm deri në momentin e fundit. Veprimi i tij heroik do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, si një dëshmi e karakterit të tij fisnik dhe zemrës së tij të madhe.
Kjo është një humbje e madhe për klubin tonë, për shokët e ekipit dhe për gjithë komunitetin e futbollit. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen që ndjejmë në këto momente, në këtë tragjedi prej më të mëdhave në histori që e ka kapluar klubin tonë”, shkruan klubi.
Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Numri 1 i futbollit në Shqipëri, i ka shprehur ngushëllime familjarëve të futbollistit dhe klubit të Shkupit, ndërsa thotë se shpreson të jetë mbyllur me kaq.
“I pikëlluar pas ngjarjes tragjike në Maqedoninë e Veriut, ku në Koçan kanë humbur jetën dhjetëra persona, mes tyre edhe futbollisti i Shkupit, Andrej Lazarov.
Dua të shpreh ngushëllimet e mia për klubin e Shkupit, familjarët e Lazarov dhe të afërmit e të gjithë viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike që shpresojmë të jetë mbyllur me kaq e të mos ketë më jetë të humbura”, shkruan Duka.