Srebrenica, pas mbylljes për herë të parë të Qendrës Përkujtimore, e hapur në vitin 2003

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është mbyllur deri në një njoftim të dytë, për shkak të situatës së sigurisë.
Potoçari nuk dukej kurrë më i heshtur e më i trishtuar.Pamja nga portat e mbyllura të Qendrës Përkujtimore, ku janë varrosur më shumë se 6.700 viktima të gjenocidit, është sidomos e dhimbshme për banoren e Srebrenicës, Shahida Abdurahmanoviq.Mes të varrosurve janë edhe 12 anëtarë të familjes së saj të ngushtë.Është Ramazan – muaj i agjërimit për myslimanët – dhe policia, me kërkesë të disa grave që jetojnë pranë, hap dhomën e lutjeve, çdo mbrëmje.
Pastaj, sërish heshtje.“Është rrëqethëse. Është një ndjenjë ndryshe. Të trishton dhe të kthen në ato kohët më të vështira. Dhe, sigurisht, nuk mund të mendosh se po ndodh diçka e mirë”, thotë Shahida, shtëpia e së cilës gjendet afër varrezave të Qendrës Përkujtimore.Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, e cila gjendet në entitetin serb Republika Sërpska, në lindje të Bosnje e Hercegovinës, njoftoi më 7 mars se do të mbyllet deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës së sigurisë.

Prej se është hapur në vitin 2003, kjo është hera e parë që mbyllet.“Vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të ofruar garanci adekuate të sigurisë për punonjësit, bashkëpunëtorët, mysafirët dhe vizitorët. E gjithë kjo bëhet në përputhje me rregulloret ligjore dhe rrethanat aktuale, si dhe me grushtshtetin që po zhvillohet kundër institucioneve shtetërore nga ana e grupeve rebele me seli në Banja Llukë”, shkruan nga Qendra Përkujtimore në rrjetin social X, pas mbylljes.Më shumë se një javë më vonë, ata nuk duan të flasin më tepër për këtë.
Çka i parapriu mbylljes?Mbyllja e dyerve për vizitorët vjen pas hyrjes në fuqi të ligjeve antikushtetuese të Republikës Sërpska, që ndalojnë funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Hetimit (SIPA), si dhe të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës në këtë njësi.Që nga viti 2011, Qendra Përkujtimore sigurohet nga Drejtoria për Koordinimin e Organeve Policore e Bosnje e Hercegovinës.Edhe pse siguria është nën një agjenci të menaxhuar nga institucionet shtetërore, dhe jo nga policia e entitetit, pasigurinë e shkakton fakti që autoritetet e Republikës Sërpska nuk e pranojnë gjenocidin në Srebrenicë, i cili është konstatuar nga gjykatat ndërkombëtare.Në mesin e mohuesve të gjenocidit janë edhe zyrtarët më të lartë, përfshirë presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.Ata kundërshtojnë edhe Rezolutën e miratuar nga Kombet e Bashkuara në maj të vitit të kaluar, me të cilën 11 korriku është shpallur Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.Mision i Qendrës Përkujtimore është ta ruajë kujtimin për viktimat e gjenocidit dhe t’i edukojë brezat për rëndësinë e paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut.Në Qendrën Përkujtimore ka artefakte të shumta të viktimave të gjenocidit, të gjetura në varreza masive, si orë apo veshje, por edhe të dhuruara nga familjarët.
Mbështetje edhe nga RuandaPas mbylljes, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës u bëri thirrje institucioneve në mbarë botën që t’i bashkohen një nisme globale të përkujtimit dhe rezistencës, të quajtur #SrebrenicaShutdown.Në më pak se 24 orë, mesazhe mbështetjeje kanë arritur nga 17 vende të ndryshme, nga përfaqësues të viktimave të gjenocidit në Ruandë, nga shoqata të kujtimit të Holokaustit, ambasada të shumta, organizata dhe institucione.Në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës thonë se janë jashtëzakonisht mirënjohës për këtë, sepse, siç shprehen, një gjë e tillë konfirmon rëndësinë e ruajtjes së kujtimeve dhe kundërshtimit të mohimit dhe padrejtësisë historike.“Këto mesazhe dhe veprime janë një rikujtim i fuqishëm se misioni i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës u përket shumë njerëzve dhe se e vërteta do t’i ketë gjithmonë mbrojtësit e saj. Ky lloj solidariteti e forcon edhe më tej vendosmërinë tonë për të qëndruar të përkushtuar ndaj misionit tonë dhe për të vazhduar luftën për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën”, thonë nga kjo qendër për Radion Evropa e Lirë.Kështu, më 12 mars, dyert e Muzeut në Universitetin De Montfort në Leicester të Mbretërisë së Bashkuar janë mbyllur simbolikisht për pesë minuta.Kim Sadique, profesoreshë e Parandalimit të Gjenocidit dhe Edukimit për të, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky ishte “një akt i vogël solidariteti”, por edhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj ngjarjeve në Bosnje e Hercegovinë, përkatësisht në Srebrenicë.“Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është një fener shprese dhe një kundër-narrativ i dukshëm për mohuesit e gjenocidit, që përpiqen ta rishkruajnë historinë e Bosnje e Hercegovinës dhe vazhdojnë ta kërcënojnë të ardhmen e saj. Kjo nuk mund të lejohet dhe kjo është arsyeja përse kemi vendosur të marrim një qëndrim”, thotë Sadique.Dhe kështu, qyteti ku në mes të korrikut të vitit 1995, forcat serbe kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem gjatë gjenocidit, duket i shkretë.Kryesisht janë gra të moshuara që shkojnë për të qenë pranë varreve të të dashurve të tyre.Për shumë nga to, kjo është e gjitha që u ka mbetur. Dhe kjo është e shenjtë për to, thotë Shahida.Në gjenocid është vrarë edhe djali 16-vjeçar i motrës së saj.“Ajo më merr në telefon dhe më thotë: ‘Shahida, prej se është mbyllur Qendra Përkujtimore, nuk fle, fëmija im i vetëm është aty’. Të gjithë njerëzit që i kanë mbijetuar gjenocidit, që janë të afërm, ose edhe diku nëpër botë, nuk ndihen mirë nëse kjo merr fund”, thotë Shahida.Në qytet, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2013, shumica janë boshnjakë, ndërsa rreth 45 për qind janë serbë.Shahida thotë se të gjithë banorët janë të shqetësuar, pasi presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është dënuar në shkallë të parë para Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, më 26 shkurt, me një vit burgim dhe ndalesë gjashtëvjeçare të veprimtarisë politike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.Shahida thotë se askush nga autoritetet nuk ka folur me qytetarët.Pushtetin në Srebrenicë e udhëheq kryetari serb, Millosh Vuçiq.Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vuçiq thotë se nuk ka informacione se pse njerëzit ndihen të pasigurt në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.Ai thotë se i ka kontaktuar edhe forcat policore të entitetit, të cilat, sipas tij, kanë thënë se nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve në Srebrenicë.“Vërtet, nuk e kemi pasur as incidentin më të vogël”, thotë Vuçiq.Ai shton se nuk ka kontaktuar me drejtorin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Emir Sulagiq, dhe se nuk i di arsyet përse ndihen të pasigurt.“Policia i ruan objektet atje. Prezenca e policisë është shtuar vetëm për shkak të këtyre pretendimeve, por nuk e di se nga cila anë kërcënohet siguria”, shprehet Vuçiq.Megjithatë, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës thonë se ajo do të qëndrojë e mbyllur derisa situata të stabilizohet, ndërsa të gjithë punonjësit do të punojnë nga shtëpia, “nëse është e mundur”.Më shumë se 50 njerëz janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocidin dhe krimet në Srebrenicë, të cilat kanë ndodhur pasi ushtria e Republikës Sërpska e ka pushtuar zonën – atëkohë të mbrojtur nga OKB-ja.Sipas të dhënave të Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, 30 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë dhe rrethinë, rreth 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.
Përgatiti: Valona Tela / REL
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente