
Spartak Ngjela: Shqipëra dhe Kosova janë bashkuar, pritet dhe pjesa e Maqedonisë së Veriut
Nga Spartak Ngjela
Edhe pse politikat kombëtare të të dy shteteve shqiptare ende nuk janë bashkuar; shqiptarët e ndiejmë bashkimin e tyre etnik kudo ku janë. Sepse kombëtarizmi dihet që është ndiesi e brendshme e mendimit individual dhe shoqëror njëhetësh.
I-Të shohim në vitet që po vijnë se si do të vijojë politika etnike, në kohën që shqiptarët si popull, në dy shtete të pavarur, tani koha po i çon drejt bashkimit etnik, gjithmonë si frymë shqiptare dhe patriotizëm modern.
Sepse tani, në dy kryeqytetet shqiptare, në Prishtinë dhe në Tiranë, është e formësuar realisht ndërgjegjja kombëtare. Ka ngritje të lavdërueshme të intelektualizmit shqiptar, dhe kjo kuptohet se ndërkohë kjo po vijon si zhvillim arbëror edhe në Maqedoninë e Veriut.
Dhe prandaj serbët janë hedhur në sulm antishqiptar, por në këtë luftë, ata janë shumë të dobët në krahasim me shqiptarët. Serbët aktualisht janë të rrëmbyer në konflikte të brendshme, sepse kuptohet që doktrina e Milosheviçit që po vijon me presidentin aktual Vuçiç, tani ka falimentuar. Dhe prandaj gjendja e Serbisë mund të shkojë drejt shpërbërjes së përkohshme, por politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës duhet të dijë që ta shfrytëzojë në funksion të çështjes shqiptare këtë krizë që po kalon Serbia.
II-Kjo krizë e ka ngritur shumë tensionin në Beograd, por historia jonë kombëtare e mposht këtë kundërshtar. Nëse të dyja qeveritë e të dy shteteve shqiptare do të janë të afta për ta kuptuar që shqiptaria është e ardhmja e Gadishullit Ilirik, historia e shqiptarisë do triumfojë në Gadishullin Ilirik. Dhe pikërisht kjo kohë drejt këtij vrulli historik po ecën. Por Tirana politike ende nuk është në nivelin që ta kuptojë se ajo duhet të këtë një konceptim të ri për Arbërinë moderne, e cila sot po mban brenda vetes rikrijimin modern të historisë së Shqipërisë, në të dy shtetet shqiptare. E themi këtë sepse kjo forcë e re e shqiptarisë e ka shqetësuar shumë edhe Athinën politike, edhe Beogradin. Por kjo pak rëndësi ka, sepse e tillë ka qenë historia e popujve dhe e shteteve në mijëra vjet.
III-Gjithses në këtë çast historik ne na duhet të pyesim më shumë, vtëm duke i qëndruar pyetjes sonë kryesore: Çfarë po bëjmë ne shqiptarët sot? Shqiptarët po forcohen shumë, prandaj nuk duhet ta dëgjojnë me besim pesimizmin që spikat shpesh në shtyp, sepse ai është i formuluar nga kundërshtarët tanë shekullorë. Gjithsesi çështja kombltare po duket se ka mbetur te mungesa e një programi të përbashkët elokuent për formulimin e doktrinës moderne të shqiptarisë, në të dy parlamentet, edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë. Dhe kjo gjendje duhet të kapërcehet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Burimi