
Silvinjo: Sfida ndaj Anglisë e vështirë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka
Sporti E Enjte, 20 Mars 2025 19:50
Kombëtarja shqiptare luan nesër ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Anglisë, në stadiumin “Wembley”, në orën 20:45. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi “Wembley” dhe folën për ndeshjen ndaj Anglisë.
Trajneri Silvinjo foli për përgatitjet e skuadrës për ndeshjen ndaj Anglisë dhe problemet në mbrojtje. Tekniku kuqezi theksoi se do të jetë një ndeshje e vështirë, por e gjitha për tu shijuar. Pavarësisht kundërshtarit, trajneri i Kombëtares tha se lojtarët do të japin maksimumin në fushë, pasi në futboll mund të ndodhi gjithçka.
Problemet në mbrojtje? – Po, është e vërtetë, kemi pasur probleme të vogla gjatë javës. Pasditen e sotme do të kemi stërvitjen e fundit dhe kemi kohë edhe nesër paradite për të vlerësuar lojtarët. Kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj dhe do të marrim një vendim.
Përgatitja për ndeshjen me Anglinë? – Do të jetë një ndeshje e vështirë, por në të njëjtën kohë shumë e këndshme. Është e vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, por besoj që kjo kohë duhet të mjaftojë për t’u përgatitur për një ndeshje të tillë. E kemi diskutuar këtë edhe në një mbledhje me trajnerët në FIFA. Sa e vështirë është të jesh trajner i një Kombëtareje, ke shumë pak kohë, dy ndeshje në tre ditë, ndërkohë duhet t’i menaxhosh të dyja ndeshjet. Mos të harrojmë që kemi një ndeshje tjetër ndaj Andorrës. Por kjo është ndeshja e parë dhe kemi menduar vetëm për Anglinë. Do të jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë, do të preferonim të kishim më shumë kohë për të bërë një stërvitje të gjatë, por kemi përdorur video dhe kemi folur me lojtarët. Mos të harrojmë një tjetër detaj: lojtarët shpesh vijnë të lodhur, jo vetëm nga Shqipëria, por nga të gjitha Kombëtaret, pasi sezoni është i gjatë. Por nuk duhet të ankohemi, sot do të zhvillojmë stërvitjen e fundit dhe nesër do të vendosim për formacionin.
Thomas Tuchel? – Futbolli është i pabesueshëm dhe gjatë 90 minutave mund të ndodhë gjithçka. Ne e kemi studiuar Tuchel-in, po ashtu edhe ekipin e Anglisë. E dimë si i pëlqen atij të luajë, ka shumë lojtarë të mirë në përbërje, por besoj se për të dyja ekipet, çdo gjë është shumë e qartë. Janë 90 minuta që duhen luajtur, për t’u shijuar, për të marrë përgjegjësi, por duke e respektuar gjithashtu kundërshtarin, pasi është një nga ekipet më të mira në botë. Por ne jemi të përqendruar dhe jemi përgatitur.
A keni presion në ndeshjen e nesërme dhe a do të ndryshoni diçka në mënyrën e lojës? – Tuchel është një trajner i mirë. Është i ri, por në të njëjtën kohë edhe fitues, ka shumë energji. Nuk ka rëndësi se si do të luajmë. Mund të luajmë me tre apo katër mbrojtës. Sistemi nuk ka shumë rëndësi sepse janë lojtarët ata që lëvizin në fushë. Janë një ekip me shumë cilësi të lartë fizike dhe teknike, luajnë mirë një kundër një. Ne do të tentojmë të bëjmë diçka të veçantë. Sigurisht që kemi punuar në aspektin e mbrojtjes dhe të sulmit. Do të tentojmë të bëjmë diçka të veçantë në aspektin e sulmit. Është ndeshja e parë, është sfiduese dhe e vështirë. Por le ta shijojmë, pasi jemi në një nga stadiumet më të bukura në botë. Është momenti për ta shijuar.
Eksperienca në Angli, nisur nga kjo sa e kuptoni futbollin anglez? – Po, kam luajtur në Angli kohë më parë. Zabaleta ka kaluar rreth 10 vjet në Angli. E kuptojmë ritmin e lartë që ka kampionati anglez. Është një nga ligat më të forta të botës, luajnë në nivele shumë të larta. Në ekipin Kombëtar ka lojtarë shumë të mirë me shumë cilësi. Këtu nuk flasim për konkurrencë, por duhet të tentojmë të punojmë në lidhje me sulmin, sepse me një ekip si Anglia nuk duhet të luash vetëm për të mbrojtur, por duhet të krijosh një lloj strategjie, pasi ritmi është shumë i ndryshëm. Ne kemi punuar, kemi folur me lojtarët, kemi përdorur videot dhe jemi përgatitur për 90 minutat nesër.
Lewis-Skelly i Arsenal? – Është lojtar shumë i mirë, mendoj që ka një të ardhme shumë të mirë. Është kënaqësi kur shikon lojtarë të rinj që thirren në Kombëtare dhe fillojnë të luajnë me një ekip si Arsenali. Dua ta uroj Artetën si trajner. Ka lojtarë shumë të mirë. E shijoj shumë punën dhe futbollin që ata bëjnë.
A mund të jetë Silvinjo një Kristofer Kolombi që do të zbulojë Amerikën? – Ne punojmë së bashku. Nuk ka rrugë tjetër. Duhet të vendosim zemrën dhe shpirtin në fushë. Ka vetëm një rrugë, duhet të luftojmë për çdo pikë. Çdo metër në fushë është i rëndësishëm. Ne kemi lojtarë të mirë, nga aspekti fizik dhe me përvojë. Duhet të luftojmë që të ecim përpara.
Çfarë mendoni ju se i mungon Anglisë? – Është një pyetje e vështirë. Unë e respektoj shumë ekipin anglez. Më kujtohet në vitet 2000-2001 një ndeshje mes Anglisë dhe Brazilit 1-1 këtu në Wembley, një atmosferë fantastike e tifozëve. Është e vërtetë që i ka munguar një performancë e mirë në ndeshjet finale, por kemi parë performanca shumë të mira në Europian dhe Botëror. Futbolli është i tillë, keni lojtarë shumë të mirë dhe perspektivë për të fituar.
Burimi