
Shulku: Jemi të motivuar për një rezultat pozitiv ndaj Anglisë
Sporti E Premte, 21 Mars 2025 16:36
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, foli për ndeshjen e sotme mes Anglisë dhe Shqipërisë. Sipas tij, ekipi është i motivuar dhe përgatitur për një rezultat pozitiv, pavarësisht kundërshtarit të fortë që është përballë.
“Dihet, kundërshtari është shumë i fortë. Ekipi është përgatitur dhe e them me bindje këtë, çunat kanë qenë të motivuar dhe ka besim për një rezultat pozitiv. Kemi mungesa të rëndësishme në mbrojtje. Çdo lojtar që vesh fanellën e Kombëtares, jep maksimumin në fushë. Në këtë ndeshje duhet më shumë se 100% për të arritur rezultat pozitiv ndaj një kundërshtari shumë të fortë.
Nuk jemi ekip si Anglia apo Gjermania, me numër të pa limituar lojtarësh. Secili ka rolin e vetë në ekip. Lojtarët që do të luajnë, e kanë detyrë të japin maksimumin e tyre. Duhet të kemi harmonizim në fushë dhe të luajmë mirë. Nëse e bëjmë këtë, rezultati do të vijë.
Gjendja është e mirë dhe djemtë janë optimistë. Kanë qenë super të karikuar. Nuk kemi nënvlerësim, por as mbivlerësim. Lojtarët luajnë në skuadra të mira dhe përballen me lojtarë të këtyre niveleve. Nëse japin maksimumin, rezultati pozitiv është i pritshëm”, deklaroi Shulku për TV Klan.
Burimi