
SHBA, Trump përdor një ligj të shekullit XVIII kundër një grupi kriminal venezuelian
Në luftën e tij kundër një grupi kriminal venezuelian, presidenti amerikan, Donald Trump u përpoq të përdorë një ligj të vitit 1798, i shfrytëzuar për herë të fundit gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër japonezëve, por vendimi i tij u bllokua nga një gjykatës.
Presidenti amerikan kishte urdhëruar dëbimin e anëtarëve të dyshuar të bandës venezueliane të trafikut të drogës ”Tren de Aragua” duke thënë se ai kishte të drejtë t’i shpallte ata “armiq të huaj”, sipas një ligji të përdorur në kohë lufte.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë çuar çështjen në gjykatë dhe gjykatësi James Boasberg të shtunën urdhëroi një ndalim 14-ditor të të gjitha dëbimeve, derisa të ketë më shumë kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e dekretit.
Në një deklaratë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi kritikoi vendimin, i cili tha se shkelte “fuqinë e Presidentit Trump dhe rrezikonte publikun dhe zbatimin e ligjit”.
”Shtëpia e Bardhë ka afat deri të hënën për të apeluar qëndrimin, në rast të së cilës seanca e radhës do të mbahet më 21 mars”, tha gjykatësi.
Akti ”Alien and Sedition” është një ligj që lejon presidentin amerikan të arrestojë ose dëbojë qytetarët e një vendi armik.
E krijuar në 1798, ai u përdor gjatë Luftës Anglo-Amerikane të 1812, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur 120 000 japonezë dhe japonezo-amerikanë u internuan në Shtetet e Bashkuara.
Donald Trump, i cili ka një qëndrim shumë të ashpër ndaj imigracionit, dëshiron ta përdorë atë për të luftuar anëtarët e bandës venezueliane ”Tren de Aragua”, të cilët veprojnë në SHBA.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se banda kishte lidhje me presidentin venezuelian Nicolas Maduro.
“Kjo ka prodhuar një shtet kriminal hibrid që tani po kryen një pushtim grabitqar dhe inkursion në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në dokument.
Trump akuzoi ”Tren de Aragua” se po zhvillon “një luftë të paligjshme kundër territorit të Shteteve të Bashkuara, drejtpërdrejt dhe nën drejtimin, klandestin ose ndryshe, të regjimit të Maduros”.
Sipas deklaratës, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA Pam Bondi ka 60 ditë për të zbatuar urdhrin, i cili i bën të gjithë anëtarët e ”Tren de Aragua” “tí nënshtrohen arrestimit, ndalimit dhe largimit të menjëhershëm”.
Të gjithë anëtarët venezuelianë të ”Tren de Aragua” mbi moshën 14 vjeç, të cilët nuk janë banorë të përhershëm të Shteteve të Bashkuara ose nuk kanë shtetësi amerikane, do t’i nënshtrohen dëbimit.
“Synimi i administratës Trump për të përdorur autoritetin e kohës së luftës për të zbatuar ligjet e imigracionit është sa i paprecedentë aq edhe i paligjshëm”, tha në një deklaratë Lee Gelernt, një zyrtar i organizatës për të drejtat e njeriut ACLU.
“Kjo mund të jetë masa më ekstreme që ka marrë ndonjëherë administrata”, shtoi Gelernt./ a.jor. ATSH
Burimi