
Rutte në Kosovë: Dekadat e paqes së arritur me vështirësi nuk duhet të rrezikohen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, tha në Prishtinë se aleanca ushtarake perëndimore është e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe qëndrueshmërisë në rajon, ndërsa theksoi se bisedimet Kosovë – Serbi janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Kosovë, përgjatë së cilës u takua me udhëheqësit vendas dhe trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, që janë misioni më i madh dhe më afatgjatë i aleancës. Aktualisht rreth 4 mijë e 600 trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë, ne mesin e tyre rreth 600 trupa janë nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretari Rutte tha se një rajon i sigurt i Ballkanit nënkupton më shumë siguri gjithandej zonës euroatlantike. “Dekadat e paqes së arritur me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. KFOR-i është plotësisht i gatshëm për t’u përballur me çfarëdo zhvillimi që ka të bëjë me sigurinë. Në këtë kuadër ne presim të vazhdojmë bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe KFOR-it në pajtim me përkushtimin prej dekadash”, tha zoti Rutte duke nënvizuar se qëndrueshmëria e rajonit varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës.
“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike”, tha zoti Rutte duke theksuar se NATO-ja do të vazhdojë të mbështes normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Kjo tha ai, është rruga e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.
“Për ta çuar këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha ai.
Normalizimi sjell më shumë qëndrueshmëri dhe siguri për mbarë rajonin tha sekretari Rutte, i cili arriti në Prishtinë pas një vizite në Bosnjë, mes në një periudhë tensionesh, pasi Republika Serbe miratoi ligje që ndalojnë gjyqësorin dhe policinë shtetërore të Bosnjës të veprojnë në territorin e atij entiteti./VOA/
Burimi