Lumi i Shalës, një perlë e natyrës e shndërruar në një destinacion mahnitës turistik

Lumi i Shalës, një perlë e natyrës e shndërruar në një destinacion mahnitës turistik

Nga Albert Vataj
E pabesueshme por e vërtetë. Ndërsa përcjell këto foto që Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale, kupton se gjithçka është e mundur përmes vullnetit pozitiv dhe një menaxhimi perspektiv i pikave të tilla, të cilat mund të shndërrohen në destinacione të parezistueshme për të gjithë ata që duan ujin e kristaltë, natyrën e virgjër dhe aventurat.
Atje ku deri dje ishte mes maleve një mrekulli e fshehur, sot është një kartolinë për të mahnitur, është një destinacion që të magjeps, një mundësi e shkëlqyer për t’i shpëtuar kthetrave të vapës dhe për të shijuar ujërat e freskëta dhe të kristalta të bjeshkëve, për ta ndjer se si vërshon brenda teje “gjaku” i maleve dhe epostit, legjendave dhe zanave, shtojzovalleve dhe vajit të lahutës, gjamës së burrave, kullave me kulm në re, dhe… atje ku ka folenë shqipja.
Siç dihet Lumi i Shalës është një destinacion turistik i mahnitshëm në Shqipëri, i cili me një shpejtësi të vetëtimshme u bë një piketë guidash.
Lumi buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km, për tu derdhur në liqenin e Komanit. Ngjyra e kaltër e ujit dhe peizazhi i rrethuar nga shkëmbinj të thepisur dhe pemë të gjelbra e bëjnë këtë vend të veçantë dhe këtë mundësi për ta shijuar të pashoqe. Aventurierët e natyrës mund të eksplorojnë zonën me varkë, të ngjiten në majat përreth për pamje spektakolare dhe të zhyten në ujin e freskët të lumit të Shalës.
Ata që kanë eksploruar këtë mundësi, ata që e frekuentojnë rregullisht këtë drestinacion, ata që e duan natyrën siç duan ashpërsinë e bukurisë së saj, janë të gjithë në një mëndje, se Lumi i Shalës është një prej destinacioneve më të bukura në Shqipëri, i cili po tërheq qindra turistë. Pushues vendas dhe të huaj janë tashmë pjesë e kësaj perle të natyrës shqiptare, janë e sotmja dhe e ardhmja e një mrekullie që po tenton të ketë statusin e saj si destinacion që vështron nga e nesërmja perspektive.
Burimi