
Kuvendi miraton 10 projektligje me votat e PS
Sot në seancën plenare në Kuvend u kaluan në votim për 10 projektligje, të cilat kaluan vetëm me votat e PS-së. Votimi i Planit të Zhvillimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen e huasë nga BE-ja për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”. Kjo marrëveshje parashikon një përfitim për Shqipërinë nga BE-ja në rreth 1 mld euro.
Kuvendi ka miratuar me 74 vota pro “marrëveshjen e huasë mes Bankës së Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian për lehtësinë e reformave dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor” e cila parashikon ndihmë financiare 657 mln euro kredi dhe 264 euro grante me fokusin në 5 objektiva kryesore: rritjen e konkurrueshmërisë, kualifikimin e kapitalit njerëzor, konsolidimin e qëndrueshmërisë energjetike, transformimin digjital si dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Mbështetja me hua do të vijojë deri në vitin 2027, dhe shlyerja e këtyre kredive nga Shqipëria do të nisë në vitin 2034, dhe koha për t’i shlyer të gjitha fondet e marra si kredi nga BE do të jetë 40 vite. Ra në sy vota pro e deputetëve opozitarë Bujar Leskaj dhe Nusret Abdullës në disa prej projektligjeve dhe në veçanti atë për hapjen e zyrës së Parlamentit Evropian në Shqipëri për Bankën e Investimeve.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së facilitetit mes Shqipërisë dhe BE-së” mori 73 vota pro, kurse ai për “Paketën e Maleve” mori përveç 73 votave pro të mazhorancës, edhe 1 kundër dhe 1 abstenim të deputetëve opozitarë në sallë. Kultivimi i kanabisit mjekësor mori shumicë votash me 74 prej tyre, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji për asistencën 73 vota pro dhe abstenimin e deputetit Leskaj.
Gjithashtu u miratuan edhe shtyrjet e afateve të Komisioneve të Posaçëm dhe të Dezinformimit të Fatmir Xhafajt dhe Erion Braçes me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri” siguroi 72 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim.
Ra në sy fakti se për të votuan edhe dy deputetë opozitarë, Bujar Leskaj me Nusret Avdulla. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City” për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme mori 74 vota pro, 1 kundër e Bujar Leskajt dhe asnjë abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, mori 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar” mori 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Burimi