
“Giro d’Italia 2025” në 11 maj në Shqipëri, PD: Ditë zgjedhjesh, të negociohen data të reja
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli kërkoi sot që të negociohen data të reja për zhvillimin e “Giro d’Italia” në Shqipëri, nisur nga fakti se 11 maji është dita e zgjedhjeve dhe Policia e Shtetit duhet të jetë në gatishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Përmes një deklarate për shtyp, Vangjeli u shpreh se edicioni i 108 i “Giro d’Italia”, që do të zhvillohet në Shqipëri në maj i kushton vendit tonë 7 milionë euro dhe do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit.
“Më herët është alokuar fondi 1 milion euro për organizatorët, ndërsa në datën 6 mars u miratua fondi 4 milionë euro për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të ‘Giro d’Italia 2025’ dhe diferenca pritet të akordohet në vijim”, shtoi ajo.
Vangjeli nënvizoi se itinerari i eventit përfshin qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës dhe nis në datën 9 maj, e vijon në datat 10 dhe 11 maj, kjo e fundit ditë që përkon me datën e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.
Në kuadër të zhvillimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për shqiptarët, PD vlerëson se data 11 maj është e papërshtatshme për zhvillimin e garave të çiklizmit.
Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon të negociohen data të reja për zhvillimin e këtij eventi duke qenë se strukturat mbështetëse të këtij eventi kulturor ku përfshihet edhe Policia e Shtetit duhet të jenë në gatishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
/m.m/j.p/ ATSH
Burimi