
Elisa Spiropali në homazhet për babanë e Hashim Thaçit: Mungesa e të birit, padrejtësi!
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë dhe foli në ceremoninë mortore të Haxhi Thaçit, babai i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në ceremoni ishte e pranishme dhe foli bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama.
Ishin gjithashtu të pranishëm ish-Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Në ceremoni mbajtën fjalë edhe Kryetari i Komunës Skënderaj, Fadil Nura, Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, Bedri Hamza nga PDK dhe djali i Hashim Thaçi, Endrit Thaçi.
Në fjalën e saj, Elisa Spiropali u shpreh:
“Shumë i dashur Hashim, që na mungon në këtë përcjellje të babait tënd fizikisht, sepse padrejtësisë politike e kombëtare të burgosjes tënde e luftëtarëve të tjerë, sot iu shtua edhe një padrejtësi njerëzore e morale.
Të dashur familjarë e të afërm të atdhetarit Haxhi Thaçi.
Të dashur motra e vëllezër,
Haxhi Thaçi, ky burrë i shtrirë para nesh dhe për të cilin morëm të gjithë rrugën për këtu në Skënderaj, është shembulli sesi një njeri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh.
Kjo është e mundur kur urtësia, njerëzillëku, ndershmëria, lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin dhe sakrificat për atdheun, për kombin. Por Haxhi Thaçi ishte më shumë se kaq. Përkujdesja prindërore, edukata patriotike, devocioni i këtij plaku që u udhëhoq gjithë jetën nga fryma e së drejtës dhe frymëzimi prej lirisë, i dhanë Kosovës një komandant e luftëtar, një udhëheqës vizionar, Kryeministrin e parë e pastaj edhe Presidentin e Kosovës së pavarur.
Prandaj Haxhi Thaçi ishte, jeton dhe do të jetojë në birin dhe shembëlltyrën e vet, Hashim Thaçin, dhe në pasardhësit e tij.
Faleminderit, burrit dhe patriotit Haxhi Thaçi, që na dhe Hashim Haxhi Thaçin, udhëheqësin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës, me mbështetjen e popullit të vet, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, e ka bërë Kosovën prej 26 vjetësh një shtet të lirë dhe prej 17 vjetësh një shtet të pavarur.
Nuk i bën nder askujt, përveçse armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të UCK-së janë sot në “shtatë penxheret” e Hagës.
Si viktima të një drejtësie që po bëhet përditë e më tepër një iluzion dhe përditë e më tepër po shkallmon vlerat, parimet dhe standartet ndërkombëtare të drejtësisë dhe injoron e margjinalizon institucionet sovrane të shtetit të lirë e sovran të Kosovës.
Dhe që amoralitetit dhe fallsitetit të vet i vuri vulën me ndalimin e të burgosurit padrejtësisht dhe kundraligjërisht, Hashim Thaçit, për t’i dhënë lamtumirën babait të vet.
Baca Haxhi, në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim ne të gjithë, nga Shqipëria dhe gjithë shqiptaria.
Të qoftë i lehtë dheu i Burojës, dheu i Skënderajt, dheu i Kosovës!
Të kam sjellë edhe një dorë nga dheu i Shqipërisë!
Lamtumirë Atit të Atit të Pavarësisë.
Burimi