
Donald Trump Jr viziton Serbinë, Vuçiç: Folëm për bashkëpunim strategjik
Bota E Martë, 11 Mars 2025 21:16
Mes valës së pandalshme të protestave që po kërcënojnë seriozisht regjimin e tij, presidenti Aleksandër Vuçiç priti në Beograd djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr.
Vuçiç bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë të përzemërt me djalin e madh të tij. Në fokus të takimit kishin qenë marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe temat aktuale me rëndësi politike dhe ekonomike në botë.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme. Ky takim simbolizon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për të adresuar sfidat globale”,-pohon Vuçiç.
Trump Jr. ka qenë në Beograd edhe në shtator të vitit 2024, kur diskutoi me një grup biznesmenësh nga Serbia për investimet potenciale. Dhëndëri i Trump-it, Jared Kushner, ka lidhur një kontratë biznesi në Beograd për ndërtimin e një hoteli në kompleksin që dikur ka shërbyer si seli e shtabit të përgjithshëm.
Burimi