
Deklaratat për SPAK, Xhafaj sqaron “konfliktin” me Ramën
Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama reagoi ndaj deputetëve të tij duke iu kërkuar që të mos bëjnë komente për punën e SPAK-ut. Në mesazhin e tij, shkak ishin bërë deklaratat e deputetit Etjen Xhafaj pas arrestimit të kryebashkiakut. Xhafaj tha se në disa momente reagimi ishte emocional, por theksoi se edhe ai si çdo njeri nuk është i pagabueshëm.
”Ka diçka që quhet kur fton dikë në studio që quhet etika profesionale që ka lidhje me pyetjet me mënyrën si bëhet, pastaj me titrat me mënyrën si dalin. Fatkeqësisht në këtë epokë ku jetojmë ku Youtube është më i rëndësishëm sesa ndjekja live e gjërave fillojnë dhe tjetërsohen dhe ndryshojnë edhe titrat. Unë besoj që [Rama] ka dëgjuar një pjesë. Unë e kam ridëgjuar pas asaj. Patjetër që kishte disa momente kur reagimi im ishte emocional dhe patjetër që ishin dhe disa gjëra që mund t’i kisha thënë në mënyrë tjetër, por sigurisht asnjëri nga ne nuk besoj te pagabueshmëria”, tha Xhafaj në ”Tv Klan”.
Deputeti i Partisë Socialiste tha edhe se nuk e ka folur privatisht me Ramën këtë çështje. Megjithatë theksoi se është përpjekur që ta korrigjojë qëndrimin e tij. ”Jo nuk jemi ulur ta flasim privatisht për këtë. Ai mbajti një qëndrim që ishte fare i qartë, unë jam përpjekur ta korrigjoj qëndrimin tim për të qenë sa më jo agresiv ndaj diçkaje që nuk ishte qëllimi. Në fund të ditës, prokuroria ka detyrën e vet, por ne nuk mund ta trajtojmë reformën në drejtësi sikur ka lidhje vetëm me një institucion. Reforma në drejtësi është një reformë që ka ndryshuar të gjithë kostelacionin e institucioneve të drejtësisë për t’u siguruar që Shqipëria të kishte një drejtësi europiane”, tha Xhafaj.
Burimi